Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, i ftuar në studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN, u shpreh se Presidenti Bajram Begaj ka kryer shkelje të rëndë me firmosjen e dekretit të zgjedhjeve të pjesshme.
“Edi Rama e ka vendosur zotin Begaj në pamundësinë e ushtrimit të detyrës. Thjesht, ai firmos atë që i sjellin. Nuk mund të arsyetohet që një kryetar bashkie të shkarkohet nga Kryeminisri si t’i dojë qejfi. Shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rëndë. A është mosparaqitja në zyrë shkelje e rëndë? Patjetër. Por, kur je në kushtet e arrestit dhe prezumohesh i pafajshëm, pavarësisht se çfarë dinë njerëzit për të”, tha Bylykbashi.
“Kjo përplasje po tregon se jemi në fazën e një zhbërjeje të funksionimit të shtetit mbi bazat e Kushtetutës. Pra, Rama mund të bëjë çfarë të dojë”, tha Bylykbashi.
Sipas deputetit demokrat, “Begaj ka kryer një shkelje të rëndë”.
“Nëse ia vërteton edhe Gjykata Kushtetuese, ai është fundi fare. Instrumentat janë në Kushtetutë, por kërkohet shumicë e cilësuar për shkarkimin e Presidentit. Kështu që, ne mund të mbetemi me një shëmti të madhe mbi tryezë, por pa askënd që mban përgjegjësi”, u shpreh Bylykbashi.
(A2 Televizion)