Dorëheqje për përgjegjësi morale? Rama akuza Berishës e Metës: Kërkohet nga të izoluar dhe të dalë nga binarët për korrupsion

Nga A2 CNN
7 Maj 2024, 11:45 | Politikë

Dorëheqje për përgjegjësi morale? Rama akuza Berishës e

Edi Rama mbrojti sërish qëndrimin e tij për përgjegjësi individuale të zyrtarëve të korruptuar. Në mbledhjen e grupit socialist, ai shigjetoi Sali Berishën dhe Ilir Metën, të cilët kërkojnë dorëheqjen e tij dhe të kryebashkiakut Erjon Veliaj, pas akuzave për korrupsion ndaj 5 drejtorëve të Bashkisë Tiranë. Sipas Ramës, përgjegjësia para ligjit është individuale, ndërsa llogaridhënia është institucionale.

“Ecuria e shtetbërjes varet nga lloji i individëve dhe ju e dini sa ndryshon qasja performanca në varësi të drejtuesit. Edhe pse individët kanë peshë të rëndësishme ekziston rreziku i madh i futjes në spirale destruktive në emër marrjes së një përgjegjësie morale për vartës të akuzuar nga drejtësia, përveçse nuk është rasti i lidhjeve me ta. Aq më tepër që kjo gjasme përgjegjësi morale predikohet nga njerëz të akuzuar e izoluar në ballkone për korrupsion, apo të dalë nga binarët e arsyes për shkak të hetimeve për korrupsionin e tyre që i ndjek si hijë në gjumë. Apo të kudondodhur në portale për të hedhur helmin urrejtjes së pangushëllueshme politike duke mos deklaruar as sa paguhen realisht në klubet ku dalin. Jo vetëm që nuk ka legjitimitet moral e politik por synon krijimin e një mekanizmi diabolik tërheqje e detyruar në emër të moralit për të goditur një shumicë qeverisëse që nuk e mundin do ndryshe me votë. Një kokë këtu një atje, bam e bum morali kush e ka radhën për t’u dorëhequr. Shtetbërja nuk është aq e thjeshtë sa ndërtimi me tulla e llaç, apo si ngritja e një karabinajeje, por një proces me shumë telashe ku korrupsioni është telash më vete ku morali përcaktohet nga raporti individual me ligjin dhe nga raporti me zgjedhësit në funksion të punës me të cilën je zgjedhur. Jo me asocim, meqë u kap ky s’ka sesi ta dish dhe ti, as nga tërheqja e të parit të punës se disa vartës kanë bërë korrupsion”.

Thirrjet morale, sipas tij vijnë nga njerëz që nuk kanë kulturë llogaridhënieje dhe për 30 vite kanë dhunuar rolin dhe misionin e tyre. 

“Kushtrimet morale vijnë jo vërtet nga ata që besojnë në llogaridhënie, por nga ata që nuk kanë asnjë kulture tjetër përveç shkatërrimit të sistemit të llogaridhënies përveç unit antishtet që jeton brenda shqiptarit dhe luftën për unin shtet. Është ai uni antishtet që i thotë shqiptarit që  ligji duhet të jetë i barabartë përveç se kur vjen puna tek unë. Historia 30-vjeçare i njeh ata si dhunues të roleve dhe misioneve të tyre si në politikë e në media, ku sipas interesit bëjnë konstruktivin e dekonstruktiv, bëjnë avokatin, prokurorin, gjykatësin e fajësojnë e shfajësojnë bazuar mbi thirrjen e brendshme të unit antishtet. Kjo është një perçe morale që shfaqet përmes zëdhënësve të minorancës sa herë vepron drejtësia dhe ia ngushton frymëmarrjen përpjekjes së madhe morale për pavarësi të drejtësisë dhe shtetbërjen demokratike. Përgjegjësia para ligjit është individuale, llogaridhënia është insititucionale”.

Kreu i qeverisë pranoi mangësitë në sistemin e drejtësisë por theksoi se partia e tij do të mbështesë SPAK-un dhe nuk do të komentojë çështjet nën hetim.

"Mua sot do të më duhej të mbaja një përgjegjësi nëse nuk do të kisha hapur lindjen SPAK, apo nëse do godiste vetëm kundërshtarët dhe atëherë do të ishte problem. Përgjegjësi morale pse po goditet pandëshkueshmëria? Kjo parti e qeveri e hapin gojën vetëm për të mbështetur SPAK dhe Gjykatën Speciale. Ky proces që ka nisur është shumë larg të qenit i përsosur, ka mangësi, por kjo parti do të vazhdojë të mos komentojë për çështje nën hetim nga SPAK".

Ai akuzoi Prokurorinë e Tiranës që mbron evazionin fiskal dhe ka mbi 80 raste pa hetim.

“Prokurorët nuk kanë ardhur nga hëna, janë shkolluar dhe kanë punuar këtu. Janë rritur në sistem drejtësie me hardhuca e gjarpërinj nëpërkëmbë siç ishte sistemi që reforma në drejtësi shembi në letër por që do kohën e vet të funksionojë. SPAK e Prokuroria e Tiranës janë në distancë fizike më pak se 1 km. Në SPAK kërkohet llogari edhe për një punonjëse të thjeshtë për një procedurë tenderi, në Prokurorinë e Tiranës mbrohet evazioni fiskal. Janë 80 raste që flenë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos