Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë të pandryshuar masën “detyrim paraqitjeje” ndaj Sali Berishës.
Kjo do të thotë që të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, Berisha duhet të paraqitet në SPAK.
Gjithashtu, Sali Berisha urdhërohet të mos largohet nga Shqipëria pa autorizimin e gjykatës dhe i ndalohet përdorimi i pasaportës dhe i dokumenteve të tjera, të vlefshme për daljen jashtë shtetit.
“Gjykata bëri me dije se pranë kryesekretarisë së kësaj gjykate, ditën e sotme, datë 26.10.2023, ora 09.45, është depozituar një kërkesë nga shtetasi Sali Berisha, me objekt përjashtimin e gjyqtares nga gjykimi i kësaj çështje. Mbi këtë kërkesë, me vendimin nr.430 Akti, datë 26.10.2023 të GJKKO është vendosur mospranimi i kërkesës së kërkuesit Sali Berisha, me objekt përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, si të pabazuar në prova dhe në ligj. Mbrojtësit e caktuar kryesisht nuk morën përsipër realizimin e mbrojtjes dhe në këto kushte, referuar listës së avokatëve kryesisht, gjykata caktoi si avokate kryesisht av.Valentina Todoresku, të cilës i la kohën e nevojshme për tu njohur me aktet e kërkesës me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha”, lexohet në vendim. (A2 Televizion)