Dosja "Partizani", Berisha: Për të mbrojtur Ramën, SPAK më shpalli kryebashkiak të Tiranës

Nga Anesti Barjamemaj
16 Shtator 2024, 19:47 | Politikë

Një piramidë mashtrimi i quajti Sali Berisha të gjitha pretendimet e SPAK në dosjen prej 500 faqesh për dosjen Partizani, ku atij i është komunikuar akuza për korrupsion pasiv dhe është marrë i pandehur.

Në një konferencë për shtyp nga banesa, kryetari i Partisë Demokratike, hodhi akuza ndaj prokurorëve të SPAK, pasi sipas tij për të mbrojtur Edi Ramën kanë fshehur dokumente dhe i kanë tjetërsuar ato, raporton A2.

“Mercenarët e SPAK-ut pasi nuk kanë gjetur asnjë shkelje të vetme ligjore, pasi nuk kanë gjetur asnjë dëshmitar që të pohojë se Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi kanë bërë ndërhyrjen më të vogël në këtë proces, dhe për të mbrojtur Edi Ramën, këto qenie të shpifura shkojnë deri aty sa të shpallin Sali Berishën kryetar të Bashkisë së Tiranës”, tha Berisha, citon A2.

Me në duar dokumente që tha se mbanin firmën e Edi Ramës, iu përgjigj akuzave të SPAK dhe deklaroi se ka qenë atëherë-kreu i Bashkisë së Tiranës ai që ka ndërruar destinacionin e terreneve sportive në zonë ndërtimi dhe jo ai vetë si kryeministër i kohës, shkruan A2.

“Fshehin dokumentin zyrtar që e kanë në dosje, në të cilin del se jo Sali Berisha, por është Edi Rama që ndryshoi destinacionin e zonës nga zonë sportive ne zone urbane ndërtimi 5 muaj më herët nga sa pretendon Skapi i partisë”.

Teksa u pyet për parashikimin e Edi Ramës, të bërë nga Asambelaja e Partisë Socialiste, se Partia Demokratike në zgjedhjet e 2025 do marrë jo më shumë mandate se sa në 1997, Berisha u përgjigj me të njëjtën monedhë, përcjell A2.

“Në çdo zgjedhje të lirë, Edi Rama do të marrë ato që mori Ramiz Alia në vitin 1992 dhe asnjë votë më shumë. Në çdo zgjedhje të lirë”.

Kryetari i opozitës përsëriti edhe njëherë qëndrimit se aksioni politik do të përqendrohet tek kërkesa për qeverinë teknike që do të çonte vendin në zgjedhje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos