Paqartësia është fjala që socialistët kanë gjetur për të justifikuar injorimin e dytë që i bënë Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatin e koleges së tyre deputete, Olta Xhaçka.
Kreu i grupit parlamentar të shumicës, Niko Peleshi, është i vetëdijshëm që vendimet e kësaj gjykate janë të detyrueshme për të gjithë, por thotë se dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese për të njëjtën çështje, u kanë shtuar paqartësinë, shkruan A2 CNN.
“Nuk dua ta quaj kundërshtim, vendimi i kushtetueses është i detyrueshëm, por ka paqartësi se a mund të detyrojë Kushtetuta të votojë”, tha Pelshi. i pyetur se nga erdhi kjo paqartësi pasi herën e parë votuan kundër Kushtetueses, Peleshi u përgjigj: “Pasi gjykata insistoi”.
Peleshi ishte i paqartë edhe për rastin e deputetit Vullnet Sinaj nëse do të shkojë apo jo në Kushtetuese pa marrë një përgjigje nga Komisioni i Venecias. “Ju garantoj se ne do të respektojmë mendimin e komisionit të Venecias”. Sinaj akuzohet për përfitimin e fondeve nga buxheti i shtetit nëpërmjet kompanive të tij në kohën që mban mandatin e deputetit. (A2 Televizion)