Drejtuesit e institucioneve të drejtësisë kërkuan më shumë ndërveprim me median. Në një ditë të rëndësishme si ajo e diplomimit të magjistratëve të rinj, baballarët e drejtësisë kishin disa këshilla për kolegët e tyre të ardhshëm duke u treguar se roli që do të marrin në shoqëri pasi të veshin mantelin e zi është shumë më i madh nga sa mendohet në ditën e parë të punës.
Arben Rakipi, kreu i Shkollës së Magjistraturës, u shpreh: “Duhet të kuptojmë nevojën legjitime të publikut për informacion, thjesht për faktin se nuk mund të jemi të izoluar nga qytetarët, sepse paguhemi nga publiku taksapagues për t’i shërbyer pikërisht atij. Përbëjmë shërbimin publik gjyqësor dhe duhet, të paktën, të jemi të përgjegjshëm përkundrejt tij. Një sistem drejtësie që komunikon pak, që shpjegon pak dhe që mbetet i mbyllur për publikun, krijon hapësirë për spekulime”.
Sokol Sadushi, kreu i Gjykatës së Lartë, tha: “Ju do të ushtroni detyrën në një kohë kur fjala përhapet shpejt, kur perceptimi publik paraprin gjykimin institucional, kjo nuk duhet t’iu tremb. Ju nuk duhet të merrni vendime për të kenaqur opinionin publik, por as për t’iu kundërvënë”.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, pohoi se edhe me vendimet e gjyqësorit maten standardet për në union: “Ju do të keni pozicione të nivelit të lartë, por mbi të gjitha do të ofroni një shërbim publik. Çdo vendim që ju do të merrni do të ndikojë në jetën e qytetarëve. Ai do të përcaktojë edhe besimin që ata do të kenë te sistemi i drejtësisë, i cili është themelor në kontratën sociale... Arritja e standardeve evropiane nuk bëhet vetëm me miratimin e ligjeve, por edhe përmes punës së përditshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse ju do të jeni ata që do të siguroheni që ligji të zbatohet”.
Besimi është çelësi i suksesit, ndaj sipas Ilir Rusit dhe Olsjan Çelës të gjithë për të duhet të punojnë çdo ditë pasur në krah qytetarët.
“Besimi ndërtohet gradualisht, me mënyrën si i dëgjoni njerëzit, me sjelljen në sallën e gjyqit, me cilësinë e arsyetimit, me dinjitetin e qëndrimit dhe me aftësinë për të qenë të drejtë edhe kur kjo është e vështirë”, tha Rusi.
Kryeprokurori Olsjan Çela deklaroi: “Sistemi i drejtësisë po kalon ende një fazë komplekse transformimi shoqëror. Perceptimi publik arriti nivele”.
Këto komente u bënë gjatë konferencës me temë, ndërveprimi i drejtësisë me median, mbajtur paraditen e së hënës në Tiranë. (A2 Televizion)