Drejtimi i PD, Bardhi: Apeli t’i japë fund absurdit 2-vjeçar

Nga Indrit Maraku
19 Mars 2024, 16:06 | Politikë

Zbardhja e vendimit të Gjykatës së Lartë sa i përket drejtimit të Partisë Demokratike, solli reagimin e Gazment Bardhit, që kërkoi nga Gjykata e Apelit t’i japë fund tejzgjatjes së çështjes.

Kryetari i Grupit parlamentar demokrat e përkufizon situatën si një absurd që vijon prej 2 vitesh dhe që duhet të ishte zgjidhur nga vetë demokratët.

Gjykata e Lartë rrëzoi Apelin dhe ktheu për rishqyrtim çështjen në shkallën e dytë, ku kërkoi të mbahet në konsideratë fakti se ankimuesi Lulzim Basha nuk ishte fare palë në proces në shkallën e parë.

I rregullt konsiderohet nga Gjykata e Lartë vendimi i gjyqtarit Zhukri që në shkallë të parë miratoi regjistrimin e vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit 2021, ku mes të tjerash u shkarkua Lulzim Basha dhe drejtimi i partisë kaloi te Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit.

Sipas Gjykatës së Lartë Apeli, me vendimin që ka marrë, nuk e ka kuptuar dhe as identifikuar qartë natyrën e mosmarrëveshjes dhe ka interpretuar gabim normat e ligjit procedurial.

Shkalla e dytë duhej të kishte kryer hetim të plotë dhe të gjithanshëm të çështjes. Tashmë pritet shqyrtimi i çështjes në themel, teksa shorti caktoi edhe gjyqtarët e saj.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos