Pas mbledhjes me drejtuesit politikë të qarqeve, kryeministri Rama foli nga selia e PS-së edhe për amnistinë penale. Kryeministri u pyet se me cilin grup të PD-së do të votohet kjo nismë dhe Rama u shpreh se do ta votojnë të gjithë.
“Amnistia është në tryezën e Kuvendit dhe do ta votojnë të gjithë, pasi nuk kanë ku shkojnë. Do të votojnë për një akt që është pa ndarje partiake dhe siç bëjnë vendet e civilizuar, krijon mundësi që shteti të ushtrojë detyrimin kushtetues për lehtësimin e barrës së dënimit për ata që e meritojnë”, tha Rama.
Pak ditë më parë, i ftuar në A2 CNN, Enkelejd Alibeaj u shpreh se nuk kanë pranuar propozimin e fundit të mazhorancës për shkak se “fusnin duart” në strukturat e reja të drejtësisë, SPAK dhe GJKKO.
“PD-ja ka paraqitur amendamentin ndaj projektligjit të Amnistisë me të cilat synonim që nëpërmjet projektligjit të gjithë protestuesit 2018-2020, protestat masive të organizuara nga PD-ja dhe aleatët, si edhe shoqëria civile, pra kjo pjesë e revoltës meritojnë që nëpërmjet amnistisë të përjashtohen nga vuajtja e dënimit dhe ata që janë në hetim apo gjykim të pushohet çështja, ishte qëndrimi ynë i hapur. Ndodhi në Komisionin e ligjeve që u paraqitën amendamente nga deputetë që sot e kësaj dite askush nuk i del për Zot, që synonin të fusnin dorë te veprimtaria e SPAK dhe GJKKO”, tha Alibeaj.
Kjo nismë pritet të votohet në kuvend në seancën e të enjtes së ardhshme. (A2 Televizion)