
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, prezantoi paraditen e së enjtes drejtorin e ri të Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj.
Sipas saj, “sot drejtimi i postës shkon në duart e një profesionisti të sprovuar, i cili ka një eksperiencë të gjatë në disa fusha”, shkruan A2.
“Etjen Xhafaj është një bashkëpunëtor i hershëm i imi. Kemi punuar bashkë në disa pozicione, pasi Etjeni ka një karrierë të gjatë nga Ministria e Ekonomisë, Ministria e Financave, më pas zëvendësministër i Jashtëm, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, deri në momentin në 2021 kur u largua nga ekzekutivi për t'iu kushtuar politikës, duke qenë se ka mbajtur një mandat të Qarkut të Tiranës, pra si deputet i Qarkut të Tiranës. E thënë e gjitha kjo, sot drejtimi i postës shkon në duart e një profesionisti të sprovuar, i cili ka një eksperiencë të gjatë në disa fusha”, deklaroi Balluku.
Fjala e plotë e zv/kryeministres Belinda Balluku:
Është shumë kënaqësi të jem sërish këtu me ekipin e Postës Shqiptare. Posta Shqiptare është një nga shoqëritë më të rëndësishme që Ministria e Ekonomisë ka nën varësinë e saj, por nga ana tjetër mbetet gjithmonë një nga kompanitë molekulare shtetërore, pasi vetëm Posta Shqiptare është e shpërndarë në të katër anët e vendit tonë.
533 njësi zyre operojnë dhe ofrohen me mijëra shërbime gjatë ditës, duke e bërë këtë një nga ndërmarrjet më vitale të vendit tonë që i shërben çdo cepi, që shërben për shërbimet postare, por nga ana tjetër edhe për shërbimet financiare. Vitet e fundit janë bërë në saj të të gjithë punës së mirë të grupit tuaj, të kësaj skuadre, janë bërë disa inovacione, të cilat kanë ndryshuar dhe kanë reformuar tërësisht mënyrën sesi ofrohet tashmë shërbimi në Postën Shqiptare.
Megjithatë, ne presim shumë më shumë, duke qenë se sot ritmet e jetës janë të shpejta. Sot është gjithmonë e më e vështirë për të aksesuar pikat e shërbimit, digjitalizimi po shkon në bazë të çdo shërbimi. Qeveria Shqiptare është një nga qeveritë që mban flamurin e digjitalizimit. Ne kemi arritur në vitin 2020 të digjitalizonim 90% të shërbimeve dhe pandemia na shtyu akoma për digjitalizuar pjesën e mbetur dhe sot mos harroni që Qeveria Shqiptare është e vetmja qeveri e cila ka edhe një ministre të Inteligjencës Artificiale, duke treguar kështu edhe një hap tjetër në zhvillimin e inovacionit dhe të digjitalizimit.
Posta i ka të gjitha mundësitë, pikërisht për shkak të shpërndarjes dhe të shtrirjes së saj, për shkak të pjesës teknike që ajo mbart, për shkak të komponentëve financiar që ofron si shërbim, ka të gjithë mundësinë për t'u bërë pararojë e zhvillimeve teknologjike dhe digjitale në shërbimet publike që ofron administrata shqiptare. Sot sigurisht arsyeja për të cilën unë ndodhem këtu, nuk është për të folur për postën në vetvete, pasi kemi folur shpesh, kemi edhe nënvizuar arritjet e vitet të fundit, pasi fakti i shkëmbimeve apo i bashkëpunimeve ndërkombëtare, që ka shënuar një rritje vitet e fundit, padyshim e bën edhe më të rëndësishme si institucion.
Megjithatë, unë këtu sot jam për të falënderuar drejtorin e përgjithshëm të Postës Shqiptare, i cili ka bërë një punë të shkëlqyer do të thoja, pasi Adi ka një eksperiencë të jashtëzakonshme në shërbimet postare. Unë e kam njohur në krye të Postës së Elbasanit, që padyshim në vlerësimin tim është njësia më e mirë postare që Shqipëria ka dhe kjo është ngritur me mund patjetër nga Adi, por nga ana tjetër dhe nga e gjithë skuadra. Posta e Elbasanit ka qenë një shembull për të gjitha postat dhe duke i njohur punën e mirë që ai bënte në drejtimin e postës së Elbasanit iu besua për një mandat të plotë, pasi ka përfunduar në datë 26, apo jo mandati, për një mandat të plotë drejtimi i Postës Shqiptare, të cilën e ka bërë me përkushtim e ka bërë me vullnet, por edhe me pasion, pasi Adi ka jo thjesht një eksperiencë të gjatë, por ajo që e karakterizon është pasioni në mënyrën sesi ai ka udhëhequr Postën Shqiptare.
Sigurisht, siç u thashë, duke kërkuar që të kemi edhe rezultate më të larta, duke pasur parasysh se tashmë pranë sporteleve të Postës Shqiptare aktualisht ofrohen 51 shërbime financiare, 20 shërbime postare dhe mesatarja e transaksioneve ditore shkon deri në 65 mijë transaksione financiare dhe 70 mijë transaksione postare, duke bërë një total të 135 mijë transaksioneve ditore, sigurisht ne kërkojmë gjithmonë e më shumë. Por pa e humbur Arditin nga radhët tona, ai do të ketë një detyrë tjetër, sigurisht në të njëjtin sistem, pasi siç u thashë është një aset i jashtëzakonshëm njerëzor dhe Qeveria Shqiptare, kryeministri Rama, ashtu siç ju e dini, ka në fokus ngritjen e kapitalit njerëzor, pasi ne mund të investojmë shumë në teknologji, në digjitalizim, por kurrë asetet njerëzore, kapacitetet njerëzore nuk do mund të zëvendësohen.
Kështu që Adi do të marrë një pozicion tjetër dhe Drejtori i Përgjithshëm i postës do të jetë duke nisur që sot me vendimin e djeshëm të bordit, i cili u bë i ditur dhe na prishi këtë surprizën sot, nuk do ishte surprizë në çdo rast, do të jetë Etjen Xhafaj.
Etjen Xhafaj është një bashkëpunëtor i hershëm i imi. Kemi punuar bashkë në disa pozicione, pasi Etjeni ka një karrierë të gjatë nga Ministria e Ekonomisë, Ministria e Financave, më pas zëvendësministër i Jashtëm, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, deri në momentin në 2021 kur u largua nga ekzekutivi për t'iu kushtuar politikës, duke qenë se ka mbajtur një mandat të Qarkut të Tiranës, pra si deputet i Qarkut të Tiranës.
E thënë e gjitha kjo, sot drejtimi i postës shkon në duart e një profesionisti të sprovuar, i cili ka një eksperiencë të gjatë në disa fusha. Fusha të cilat lidhen ngushtësisht me objektin e Postës Shqiptare dhe në bashkëpunim padyshim me Adin, unë besoj që do optimizohet procesi i shërbimeve postare, por mbi të gjitha procesi i shërbimeve financiare. Për ne është shumë e rëndësishme që posta me të gjithë shtrirjen që ka, me të gjithë kapacitetet njerëzore që ka të performojë duke optimizuar shërbimet financiare, të cilat tashmë janë hedhur hapat e parë, pasi siç e thamë digjitalizimi është në bazën e tyre. Kemi disa paketa të cilat janë bërë publike në muajt e fundit dhe që me të vërtetë janë të rëndësishme, duke qenë se Posta Shqiptare do të marrë edhe role të tjera në të ardhmen, duke u bërë front desk i Bankës Shqiptare të Zhvillimit, apo e-ëallet për të cilin flitet kaq shumë, apo nga ana tjetër dhe open banking, që është le të themi thelbi i shërbimeve financiare.
Me të gjithë skuadrën, me eksperiencë që ju jeni këtu sot, me Etjenin në krye e këtij grupi dhe padyshim edhe me të gjithë eksperiencën që Arditi ka në shërbimet postare, unë besoj që rezultatet do të vijnë duke u përmirësuar akoma më shumë, por edhe më shpejt, pasi koha sot është elementi më i rëndësishëm. Shqipëria përballë një fakti shumë të rëndësishëm, atij të negocimit me Bashkimin Evropian të të gjithë kapitujve përsa i përket anëtarësimit, koha është elementi më i rëndësishëm për Shqipërinë, për shqiptarët dhe padyshim, koha për Qeverinë Shqiptare është një nga qëllimet kryesore, pra përveç cilësisë edhe koha është shumë e rëndësishme.
Kështu që Etjenit do t'i bjerë një barrë e rëndë për të përmbushur afate kohore më të shpejta nga sa zakonisht janë aplikuar në proceset e optimizimit të Postës Shqiptare dhe unë jam e sigurt që të gjithë së bashku, duke mbështetur njëri-tjetrin, ju do t'ia dilni në mënyrën më të mirë.
Unë i uroj Etjenit punë të mbarë dhe me krahë të lehta. Falënderoj Adin për gjithë punën e shkëlqyer që ka bërë dhe e nxis që të kontribuojë akoma dhe më shumë dhe ju uroj të gjithëve që të ndiheni krenarë që jeni pjesë e kësaj kompanie, që është një trademark e shtetit shqiptar dhe që shtrihet kudo. 533 zyra, askush tjetër si ju.
Shumë faleminderit.
***
Tani është patjetër momenti për t'u kthyer në punë dhe për të mos munguar asnjë sekondë nga kryerja e detyrës që e juaja nuk është thjesht detyrë është mision shërbimi ndaj qytetarëve dhe Etjeni e tha me shumë të drejtë, sidomos ndaj atyre që janë më të pamundur, që janë në nevojë dhe ju e dini kush është ai grup, ato janë pensionistët, të cilët padyshim do të përfshihen nga inovacioni. Ne do të mundohemi për t'ia bërë sa më të thjeshtë procesin për çdo lloj nevoje dhe shërbimi që ata duhet të marrin, por nga ana tjetër duke pasur parasysh edhe vështirësinë që mosha e tretë ka për t'u adaptuar me inovacionin.
Kështu që inovacioni dhe ai duhet të jetë i kostumizuar sipas target grupeve të cilat ju prekni. Unë e di që këtu ka inxhinierë të mirë, e di që këtu ka njerëz të cilët e njohin postën, por edhe një porosi të fundit, mos harroni filatelinë, që është një pjesë shumë e rëndësishme, që Arditi ka bërë një punë shumë të mirë. Filatelia nuk duhet humbur. Patjetër shërbimet janë shumë të rëndësishme, patjetër ne fokusohemi tek puna e përditshme, tek kërkesa që ka tregu, pasi posta luan një rol shumë të rëndësishëm edhe të lidhjes midis biznesit, pra sektorit privat, sektorit publik dhe individit, megjithatë filatelia është një vlerë e jashtëzakonshme, e cila duhet të ketë kujdes maksimal, si në emetimin e pullave, ashtu edhe në anën muzeale të saj, që është bërë punë me vendosjen e Arditit si drejtues, është bërë një punë e qenësishme keni çka tregoni, por nga ana tjetër, mos e harroni që mund të bëhet akoma më shumë.
Shumë faleminderit, me krahë të lehta dhe punë të mbarë të gjithëve.
(A2 Televizion)
