Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi nga dera e SPAK prokurorin e posaçëm Altin Dumani se po fsheh emrat e zyrtarëve të qeverisë që, sipas tij, kanë marrë pjesë në takimin e zhvilluar në Aruba me biznesmenë që janë nën hetim për pastrim parash nga aktivitete kriminale në sektorin e ndërtimit.
“Dhe se qeveritarët në Aruba kanë shkuar, kjo është 100 për qind e sigurt. Janë të gjitha burimet. Berisha tha se denoncimet për të ashtuquajturin samit të Aruba-s janë të hershme, por autoritetet shqiptare vepruan vetëm tani, kur spanjollët sollën dosjen”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.
“Shumë mirë që veprohet ndaj biznesmenëve apo trafikantëve që ishin në takim, por koka e Meduzës së takimit është Edi Rama dhe lejtnantët e tij që shkuan në Aruba. A ishte Engjëll Agaçi, a ishte vetë Rama, a ishte Olsi Rama? Se thuhet aty diku 'Rama i gjatë'; ata dy Ramat në dosje janë të shkurtër, më thonë. Asnjëri nuk e thotë se kush ishin. Dhe ky është Altin Troplini që e fsheh. Ky është hetimi i tij”.
Gazetarët e pyetën për pretendimet se djali i tij ka lidhje me ndërtimin e kullës “Mali i Tiranës”. Berisha i mohoi kategorikisht akuzat, duke theksuar se dosja hetimore ka vërtetuar deklaratat e tij të mëparshme.
“Dosja faktoi shpifjen dhe trillimin e ulët, trillimin e ulët që u bë atë kohë për Malin e Tiranës nga opozita e opozitës, veglat e verbra të qeverisë dhe mediat e tyre. Unë lidhje? Kurrë. Asnjë njeri... Kjo është një pyetje që bazohet në trillimet e ulëta të atyre që u përpoqën të mbulojnë të vërtetën”, shtoi kreu i PD.
Berisha inkurajoi vijimin e protestave që kanë hyrë në javën e tretë dhe tha se nuk e shqetësojnë thirrjet “Rama në burg” dhe “Berisha në burg”. Tek kjo parullë ai sheh vetëm ata që i cilëson si “opozita e opozitës”.
“Kjo është opozita e opozitës që mendon tani se, në këtë mënyrë, duke luftuar opozitën e vërtetë, do të mund ta zëvendësojë atë. Por opozita s’i ka zënë vendin askujt. Ndaj i ftoj qytetarët, të rinjtë dhe demokratët të marrin pjesë sa më masivisht në këtë protestë, të mos ndikohen nga një slogan i opozitës së opozitës, që në të vërtetë është slogan i dy apo tre sorosianëve. Të jemi të mirëkuptuar. Jo, s’ka nevojë t’jua them unë, i gjeni vetë aty”, tha ai.
Sipas Sali Berishës, që protesta të ketë efekt duhet rrëzimi i Edi Ramës dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira përmes një qeverie teknike. Ai tha se mbështet listat plotësisht të hapura dhe ashpërsimin e masave që ndëshkojnë krimin elektoral. (A2 Televizion)