Mosmarrja e dëshmisë së Ilir Beqajt, Edi Ramës dhe Vilma Nushit, për kryetaren e Komisionit Hetimor, Albana Vokshi, nuk është një dështim.
Në një deklaratë për mediat, Vokshi pohoi se deputetët e opozitës e kanë kryer punën e tyre duke marrë dhjetëra dëshmi të tjera, por edhe kanë hetuar. Ajo shtoi se shumë shpejt për sterilizimin dhe check up do të bëjnë kallëzim tjetër, shkruan A2.
“Do të kishim blerë pajisjet e duhura për t’u shërbyer njerëzve siç e meritojnë dhe siç u shërbehet në shumicën e vendeve përreth nesh.
Do kishim blerë 10 herë të gjitha pajisjet e sterilizimit, do të kishim ngritur dhjetëra spitale e QSH.
Dua së fundi të informoj:
Deputetët e opozitës e kanë bërë ‘follow the money’, kemi ndjekur paranë.
Kemi mjaftueshëm prova e fakte ndaj:
– KM
– Vilma Nushi/Ilir Rrapaj
– Ogerta Manastirlliu
– Ilir Beqaj (shtesë)
– Ish sekretarëve të përgjithshëm të MSH, MF
– Drejtorë e ish drejtorë të QSUT
– E për shumë të tjerë që do ju bëhen me dije ditët në vijim
Në këtë skemë nuk janë vetëm:
– Kompania GOGEL e Veliajt
– 2T e Gramoz Sakos
– Por është një rrjet i tërë kompanish të lidhura me Ortakët, funksionarë të maxhorancës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe familjarë të tyre që kanë gllabëruar paratë publike.
Këto koncesione kanë ngritur një skemë të mirfilltë të një grupi të strukturuar kriminal, sot dua t’ju përmend vetëm një rast që të kuptoni përse Rilindja bllokoi dëshmitë e kërkuara nga ne:
Artan Lleshi për të gjithë ju një emër i panjohur, me profesion mjek.
I paguar me taksat tona për të shërbyer pranë Qendrës Shëndetësore Kamëz.
Ky individ punësohet nga Ilir Rrapaj në kompaninë SaniService me rrogë të majmë mbi 5000 euro në muaj, ku deri më sot vetëm pagë ka përfituar 500.000 euro.
Nuk mjaftohen me kaq, Artan Lleshi-n në 2020 vendosin ta bëjnë edhe biznesmen.
Gamaservice e Artanit përfiton nga SaniService 2.7 milion euro për shërbime që nuk dihen.
Hajdutëria nuk përfundon këtu por biznese regjistrojnë, motra dhe e bija e Artan Lleshi të cilat për etikë nuk po i përmend me emër por të dyja këto shtetase kanë përfituar mbi 1 milion euro pagesa vetëm nga SANISERVICE.
Në total shqiptarëve mjeku i cili paguhej për tu shërbyer ka përfituar nga Koncesioni i Sterilizimit 4.3 milion euro.
I kemi premtuar qytetarëve transparencë e do ta bëjmë për cdo qindarkë, ne jëmi të bindur që këto para nuk kanë përfunduar në xhepin e Artan Lleshit, i cili theu këmbën e nuk deshmoi në komision.
SPAK mundohet kot të amnistojë lekët e hajdutëve pasi shumë shpejt një kallëzim i ri penal do të depozitohet ku do jetë e analizuar në detaj skema financiare e zhdukjes të qindra milion eurove.
Askush nga ata që bëri biznes me jetën e shqiptarëve, nuk do të gëzojë asnjë qindarkë të vjedhur”, tha Vokshi. (A2 Televizion)