Korçari i famshëm i rrjeteve sociale, Ilir Vrenozi, është kthyer në temë të diskutimeve në këtë fushatë zgjedhore.
Nga selia blu dhe ajo rozë, për Vrenozin kanë ardhur vlerësime të karakterit të ndryshëm. Kryeministri Edi Rama e cilëson atë si “liderin e vërtetë të PD-së”, ndërsa Sali Berisha pasi e ngjiti në podium në takimin elektoral në Korçë, e ka cilësuar “Star-in e kësaj fushate”.
Në konferencën e së premtes për mediat, Berisha u pyet nga gazetarët për personazhin në fjalë dhe krydemokrati tha se Vrenozi e ka “dërrmuar” kryeministrin Rama në komunikimin që patën mes tyre.
“Ilir Vrenozi ishte epik. Ai zhvilloi një betejë si Davidi me Golian. E kllaposi Ramën. E dërrmoi. Mos e pyet. Nuk ka marrë kush përgjigje publike më të trishtë, po të them të vërtetën më poshtëruese. Vrenozi është stari i kësaj fushate sepse Vrenozi përfaqëson qytetarin me hallet e tij, por që nuk shitet”, tha Berisha.
Më tej ai e cilësoi të turpshme tentativën sipas Berishës të Ramës për “t’a blerë” Ilir Vrenozin dhe për ta bërë pjesë të fushatës së PS.
“Shkon me atë mentalitetin anadollak se do e blej atë. Kur kam blerë ata, do e blej edhe këtë unë. Ai dha një përgjigje.... po kujt t’i japësh se duhet të kesh turp që të turpërohesh. Ky nuk ka turp. Imagjino ti se çfarë oferte do i bënte Rama atij sikur t’i shkonte në podcastin e tij. Kështu që Vrenozi është stari i kësaj fushate. E përgëzova në Korçë, e përgëzoj prapë. Por Ramën e poshtëroj, për aq sa e ndjen Rama poshtërimin”, nënvizoi kreu i PD. (A2 Televizion)