Deputetja e PS në Qarkun e Shkodrës, Marjana Koçeku, e njohur ndryshe si “Neomalsorja”, njoftoi dje se nuk do të jetë më pjesë e grupit parlamentar socialist, duke deklaruar se do të ushtrojë mandatin si deputete e pavarur.
Kolegu i saj socialist Erion Malaj zbuloi se ka tentuar ta marrë në telefon Koçekun, kur lexoi lajmin e largimit, por telefoni i saj ka qenë i fikur.
Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN Malaj u shpreh se çdo njeri merr vendimet e veta në jetë, dhe koha tregon se kush ka të drejtë.
“Deri në këto momente në asnjë mbledhje të grupit parlamentar nuk është shprehur as një lloj pakënaqësie, apo asnjë nga ato element që ne po përdorim. Znj.Koçeku në asnjë moment, deri para një jave, nuk ka pasur pakënaqësi. Unë me znj.Koçeku kam një marrëdhënie shumë korrekte, nuk di të them arsyen, qysh-tek, do ketë një komunikim zyrtar nga grupi parlamentar, ajo që di të them është se deri javën e kaluar znj.Koçeku edhe në cilësinë e sekretares së një Komisioni Parlamentar, ne na njoftonte për çdo gjë, pr.ligjet, mbledhjet. Ka pasur të gjitha qëndrimet në linjë me grupin tonë parlamentar. Kur kam lexuar në media atë që shkruajtën si status të znj.Koçeku unë kam bërë të vetmin veprim qytetar që mund të bëjë një koleg apo i ri, kam tentuar ta marrë në telefon për ta pyetur. Telefoni ka qenë i fikur, s’kam komunikuar dot me znj.Koçeku. Ka të drejtën e saj të mendojë si të dojë, nuk aludoj dot në këtë moment. Mua s’më zhgënjen sepse çdo njeri merr vendimet e veta në jetë. Koha i tregon gjërat kush ka të drejtë dhe kush s’ka të drejtë”, tha Malaj. (A2 Televizion)