Me 4486 qendra votimi të numëruara në rang vendi, nga 5225 në total, rezulton se Partia Socialiste e ka kaluar pragun e 600 mijë votave. PS deri në orën 02:00 ka marrë 619.424 vota, ose 214.823 më shumë se rivalët e tyre opozitarë, koalicioni PD-ASHM.
Koalicioni i drejtuar nga Sali Berisha ka arritur të marrë 404.601 vota.
Aktualisht mbeten për t’u numëruar kanë mbetur edhe 739 kuti para publikimit të rezultatit përfundimtar, pa përfshirë rreth 200 mijë votat e diasporës.
Sakaq, në Qarkun e Tiranës po numërohen 310 kutitë e fundit. Deri tani janë numëruar 972 kuti nga 1282 që janë në total.
PS në qarkun më të madh të vendit ka marrë deri tani 154.540 vota ose 48.02% që të përkthyera në mandate janë 19, një më shumë se në zgjedhjet e vitit 2021.
Ndërkohë, koalicioni opozitar, PD-ASHM numëron 112.460 vota ose 34.95%, që e përkthyer në mandate është 14.
Në Qarkun e Tiranës, forcë e tretë politike renditet “Mundësia” me 16.090 vota ose 5%, duke siguruar një mandat. Një mandat e ka siguruar edhe Partia Socialdemokrate e Tom Doshit me 11.120 vota ose 3.46% e tyre.
Edhe Nisma-Shqipëria Bëhet ka siguruar mandatin në Tiranë me 9776 vota ose 3.1% të tyre. (A2 Televizion)