Edi Rama, intervistë ekskluzive në A2 CNN| Kryeministri tregon se pse duhet votëbesuar për një mandat të katërt

Nga Marjo Brakaj
3 Maj 2025, 23:27 | Politikë

Nga “ëndrra europiane” te sulmet ndaj kundërshtarit politik... bashkë me premtimet e vjetra për ujë 24 orë apo rritje të pagave e pensioneve... drejtësia e re, gjeopolitika... në të parën intervistë në prag të zgjedhjeve të 11 majit në studion e emisionit “Off the Record” në A2CNN, kryeministri Edi Rama tregoi se pse shqiptarët duhet të votëbesojnë për një mandat të katërt Partinë Socialiste.

“Zgjedhjet e 11 majit do të përcaktojnë fuqinë që do të ketë Shqipëria për t’u përballur me procesin e integrimit në BE, që ne kemi si objektiv vitin 2027. Për herë të parë që nga rënia e komunizmit, BE na ka hapur derën dhe ne duhet ta lëmë që të mbyllet. Më 11 maj luan një rol të rëndësishëm në këtë pikë.”

E në një kohë që premtohet një pasaportë europiane, pas 12 vitesh qeverisje... premtimi për ujë të pijshëm 24 orë ende nuk është mbajtur.

 “Jo, nuk kam asnjë problem për çfarë kam thënë. Kur kam folur për ujin e pijshëm kam pasur një tablo të caktuar përpara. Dhe kur kam filluar punë me skuadrën time, kemi parë që situata ishte edhe më keq se sa mund ta shikonim edhe nga jashtë.”

Ndonëse një ritual i vjetër dhe i përsëritur midis dy protagonistëve që prej dekadash përcaktojnë konturet e jetës politike shqiptare, gjuha bullizuese ndaj Sali Berishës ka marrë një vëmendje të veçantë në këto zgjedhje. Edi Rama i shpjegoi kështu këto etiketime.

“Këneta nuk është bullizim. Është metafora e një realiteti shumë konkret dhe shumë të prekshëm. Opozita jonë është kënetë, është uji i ndenjur. Ka mbetur në mëshirën e një individi të pashpresë që e ka marrë peng gjithë opozitën, ndërkohë që mezi lidh fjalitë e veta, për shkak se edhe mosha ka bërë të vetën. Kështu që është kënetë.”

Edi Rama sulmoi partitë e reja që garojnë më 11 maj për zgjedhjet parlamentare, duke i quajtur “version laik i të ndjerës Lëvizjes Socialiste për Integrim”. 

“Po të shikoni që skuadra jonë është shumë më e re se të tjerat, përfshi edhe ata që kanë të re vetëm moshën dhe thonë “Jemi e reja që po vjen” dhe është njëkohësisht skuadra më e vjetër, për shkak se ka ndërhyrje mes energjisë së re dhe eksperiencës. Ata nuk kanë as ide të reja, as programe të ndryshme nga programet e çdo lloj force spekulante që s’ka gjë në dorë që premton gjithçka përveç nënës dhe babës dhe nuk ka, mbi të gjitha, asnjë kapacitet qeverisës”.

Për kreun e qeverisë, Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që garanton jetëgjatësinë e prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

“Për momentin ne jemi të vetmit garant të përpjekjes së parë në histori për barazi përpara ligjit. Nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë tonë. Këto ndodhin sot vetëm për një arsye, për vendosmërinë dhe përkushtimin e PS në raport me besimin e marrë nga populli se ata që merren me komente, ata i reduktojnë shumë unë them apo i reduktojnë shumë edhe simbolikat e fushatave të mia”.

Kryeministri Edi Rama e quajti korruptive dhe të frikshme kontratën e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA. Veç zhvillimeve brenda vendit, Edi Rama foli edhe për gjeopolitikën. Presidentin Amerikan Donald Trump dhe dhëndrin e tij  Jered Kushner që pritet të investojë në ishullin e Sazanit. Sa i përket personave që kanë probleme me SPAK, si Plarent Ndreca, ndërkohë që mungojnë emra si Ditmir Bushati, Denis Deliu, kryeministri shtoi: “Ai nuk është i pandehur dhe as i dënuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos