“Fatos Nano ishte dhe mbetet figura më tipike e politikanit liberal, që i mungon shumë sot politikës shqiptare”.
Kështu u shpreh ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo, i ftuar në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN.
“Karakteristikat e tij si një politikan liberal nganjëherë shkonin edhe përtej kufijve që mund t’i lejonin rrethanat shqiptare. Ishte për nga kultura, formimi dhe karakteri tejkalonte intelektualin modern liberal”, theksoi Milo.
“Politika shqiptare ka humbur një model të politikës së shëndetshme europiane”, shtoi më tej Paskal Milo.
Ai kujtoi se ka bashkëpunuar ngushtë me Fatos Nanon kur ndërhyrja e ndërkombëtareve ka qenë e madhe kur Shqipëria po kalonte kohë të vështira.
“Duhej patjetër të koordinoheshim me ndërkombëtarët dhe ministri i Jashtëm shërbente edhe si ndërmjetësues. Kjo më dha shansin në atë kohë që ta kisha bashkëpunimin gati të përditshëm. E njihte politikën e jashtme, kishte nuhatje dhe kuptonte mirë pozicionin e tjetrit. Ai nuk përulej kollaj ndaj të huajve dhe nuk ishte “Yes man”. E shfaqte bindjen e tij me autoritet me argumente dhe këmbëngulte për të arritur objektivat që i kishte vënë vetes. Me të huajt jo gjithnjë arrinte mirëkuptim, pasi të huajt atëherë kërkonin që qeveria shqiptare të mos ishte kaq e pavarur në vendimmarrje. Nano nuk mund ta pranonte diçka të tillë dhe unë kam qenë dëshmitar kur ai ballazi ka kundërshtuar autoritetet ndërkombëtare, qofshin këto edhe amerikane”, tha Milo. (A2 Televizion)
