Anastas Angjeli, në një lidhje direkte me studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, kujtoi momentin e arrestimit të Fatos Nanos.
“Ngjarja më e rëndësishme për mua ka qenë momenti i arrestimit. Ka qenë një ditë që PS-ja përgatitej për të zhvilluar një miting te aneksi i stadiumit “Dinamo”, pas fitores së saj në zgjedhjet lokale. Fatos Nano më mori në telefon në mëngjes dhe më tha se i kishte ardhur një fletë-thirrje nga Prokuroria. Më pyeti se si të vepronim. I thashë që duhet të flisnim nga afër para se të shkonim në miting. Shkova në shtëpinë e tij me Fatmir Kumbaron, me mendimin se duhet të paraqitej në Prokurori, duke menduar se do të ishte vetëm një seancë pyetjesh”, kujton Angjeli.
“Nuk besoja se do të kishte arrestim të tij. Kam qenë ndoshta i vetmi person që kemi ndenjur në oborrin e Prokurorisë, bashkë me oficerët. Prokurorët më thanë nga kati i katërt se e kishin arrestuar. Fatosi zbriti i shoqëruar nga policët dhe i prangosur më dorëzoi çantën, syzet dhe diçka tjetër. Unë shkova më pas në PS, ku takova Gramoz Ruçin dhe Rexhina Nanon për t’i dhënë lajmin e arrestimit. Ishte ditë e rëndë dhe moment shumë i vështirë për Nanon, familjen e tij dhe PS-në”, shtoi Angjeli.
Sipas tij, “me arrestimin e Fatos Nanos u frenua demokracia në Shqipëri”. (A2 Televizion)
