
Internacionalja Socialiste ka reaguar me një postim në rrjetet sociale pas lajmit të ndarjes nga jeta të Fatos Nanos.
Sipas saj, Fatos Nano “e udhëhoqi vendin nëpër kohë sfiduese, duke u përpjekur të ndërtonte një shtet kushtetues dhe demokratik, dhe kontribuoi shumë në reformën dhe modernizimin e Partisë Socialiste”.
“Internacionalja Socialiste shpreh ngushëllimet e saj të sinqerta për anëtaren tonë, Partinë Socialiste Shqiptare, dhe udhëheqësit të saj, Edi Rama, për ndarjen nga jeta të ish-liderit të PSSH-së dhe ish-kryeministrit të vendit, Fatos Nano”, lexohet në postimin e Internacionales Socialiste, shkruan A2.
“Fatos Nano luajti një rol të rëndësishëm gjatë periudhës së tranzicionit të Shqipërisë, dhe ishte nën udhëheqjen e tij që PSSH iu bashkua Internacionales Socialiste. Gjatë gjithë jetës së tij, ai luftoi me guxim për vlerat demokratike dhe nga viti 1994 deri në vitin 1997 ai ishte një i burgosur politik. Ai e udhëhoqi vendin nëpër kohë sfiduese, duke u përpjekur të ndërtonte një shtet kushtetues dhe demokratik, dhe kontribuoi shumë në reformën dhe modernizimin e Partisë Socialiste. Mendimet tona janë me familjen dhe të dashurit e tij”, shtohet më tej në postimin e Internacionales Socialiste. (A2 Televizion)
