Analistja politike Xhilda Luzi deklaroi se nuk mund të justifikohet çdo veprim që ndodh në protestë.
“Të mbrosh të drejtën për protestë nuk do të thotë të justifikosh çdo veprim që ndodh në protestë. Më vjen mirë që të rinjtë dalin e protestojnë, por kam rezerva për formën e të protestuarit. Shikoj qytetin tim që po digjet, shikoj biznese të pafajshme që shkatërrohen, kështu që do doja të ishte më paqësore, më qytetare”, tha Luzi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Sipas saj, “detyra e policisë është të ruajë rendin publik” dhe shtoi se duhet folur edhe për “dhunën e ushtruar kundrejt policëve”.
“Duhet ta eliminojmë pjesën e të parit si armik të Policisë së Shtetit. Duket sikur palët janë kundër njëri-tjetrit, por nuk është kështu. Policët bëjnë punën e tyre, nuk është se janë me pushtetin. Më vjen keq që kanalizohet vetëm te dorëheqja e Ramës, por qëndrimi në pushtet nuk përcaktohet nga dhuna e ushtruar gjatë një proteste, por është e drejta e qytetarëve për të votuar. Do doja që protesta të kishte argumente”, theksoi më tej Xhilda Luzi. (A2 Televizion)