Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike vijon betejën në Kuvend për t’u përballur me Kryeministrin Edi Rama. Pasi maxhoranca nuk pranoi kërkesën për mocion me debat për programin e qeverisë për 4 vitet e ardhshme dhe ndërhyrjet e krimit në politikë, demokratët kërkojnë që të debatojnë për vjedhjen e fondeve të IPARD dhe të ngrenë një Komision Hetimor Parlamentar lidhur me këtë çështje.
Në një kërkesë të firmosur nga 7 deputetë demokratë bëhet me dije se do të kërkojnë të hetojnë për gjetjet e OLAF dhe masat që duhet të marrë Kuvendi i Shqipërisë që të sigurohen mekanizmat e nevojshme që mbrojnë interesat financiare të BE-së nga aktivitetet ilegale dhe që sjellin përfitimin e fondeve nga programi IPARD nga fermerët shqiptarë.
Kjo kërkesë për komision hetimor duket se bie ndesh me deklaratat e bëra gjatë verës nga kryetari i PD, Sali Berisha, i cili pohonte në atë kohë se në nisje të legjislaturës së re do të kërkonin komision hetimor për çështjen McGonigal dhe për zgjedhjet e 11 Majit.
(A2 Televizion)