Zgjedhjet e 9 nëntorit, Celibashi: Nuk komentoj dekretin, s’ka kohë për votim elektronik

Nga Ervin Koçi
3 Tetor 2025, 15:04 | Politikë

Ilirjan Celibashi doli përpara kamerave për të treguar angazhimin e KQZ për organizimin e zgjedhjeve të pjesshme të 9 nëntorit. Duke njoftuar se tashmë administrata ka kaluar në gjendje alerti, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve preferoi të mos bëhej pjesë e debatit sa i takon dekretimit të datës nga Presidenti edhe për Bashkinë e Tiranës, duke nënvizuar se nuk është kompetencë e KQZ.

“Detyra e KQZ është që të përgatisë procesin zgjedhor për të 6 bashkitë dhe nuk ka fare të lejuar të vër në diskutim dhe të debatoj nga çdo pikëpamje vendimmarrje qoftë të Presidentit, Kryeministrit apo institucioni tjetër”, tha ai, përcjell A2 CNN.

Për organizimin e këtyre zgjedhjeve Clelibashi preferon të mos përdor votimin dhe numërimin elektornik për shkak të kohës së kufizuar dhe mosnjohjes së mënyrës së votimit nga pjesa dërrmuese e bashkive ku do të votohet, duke lënë derën hapur vetëm për njesinë 10 në Tiranë ku kjo teknologji është aplikuar edhe më parë.

“Jemi ende në një proces diskutimi të brendshëm, do të diskutojmë edhe me partitë politike, por maksimalisht mund të jetë përsëri njësia nr 10 në Tiranë”, tha Celibashi.

Koshient se edhe këto zgjedhje po organizohen në një klimë të polarizuar, Komisioneri duket se i pret akuzat nga politika. “Ne kemi detyrë të bëjmë detyrën tonë ashtu siç duhet bërë, të krijojmë të gjitha kushtet për të garuar për të gjitha palët, pastaj palët kanë edhe ato lirinë e tyre për të dhënë gjykime dhe vlerësime për procesin”.

Në kuadër të zgjedhjeve të 9 nëntorit, Celibashi i ka dërguar për miratim Rregullatorit të gjitha aktet që parashikojnë afatet zgjedhore brenda ditës së shtunë, që i hapin rrugë regjistrimit të partive, koalicioneve, kandidatëve dhe fushatës zgjedhore, ndërkohë që anëtarëve të kësaj trupe u mbaron mandati më 5 Tetor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos