Në daljen e parë publike për mediat shqiptare pas shkarkimit të Erion Veliajt, Kryeministri Rama refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve për vendimin që mori ndaj ish-bashkëpunëtorit të tij të ngushtë. Madje nuk pranoi të pyetej as për pezullimin e vendimit që mban firmën e tij, që aktivizohet automatikisht me ankimimin në Gjykatën Kushtetuese.
Tema e ditës e përgatitur nga Kryeministri Rama që mbante në krah dy ministrat e drejtësisë dhe të brendshëm ishte aksioni i tij për ndërtimet pa leje. Edhe njëherë shefi i qeverisë paralajmëroi çdo sipërmarrës që nuk respekton lejen e ndërtimit do të kenë penalizim.
Ndërtuesit nuk rrezikohen vetëm nga lista e zezë, por deri tek konfiskimi i të gjithë ndërtesës. Autoritetet nuk do të lejojnë më që asnjë banor të futet në shtëpi pa përfunduar certifikimi i ndërtesës.
Për të çuar deri në fund aksionin e tij për lirimin e hapësirave publike apo për ndërtimet pa leje, kreu i qeverisë propozon që ankimimet në gjykata të mos pezullojnë vendimin e autoriteteve ligj zbatuese.
Në mandatin e katërt me 83 deputetë në Parlament, Edi Rama ka vendosur të mos heshtë më për vendimet e gjyqësorit, kur sipas tij cenojnë interesin publik.
Gjithashtu pritet që të bëhen edhe ndryshime në Kodin Penal, me propozimin që të gjithë ata që vendosin “tabelën” tokë e xanun do të rrezikohen nga burgu, apo shfuqizimin e të drejtës së parablerjes. (A2 Televizion)