PD ende pa emër për kandidatët, Berisha: Me aleatët diskutojmë për modelin, s’bojkotojmë garën

Nga Anesti Barjamemaj
3 Tetor 2025, 15:20 | Politikë

Partia Demokratike ende nuk ka shpallur emrat e kandidatëve për zgjedhjet, ndërsa Sali Berisha thekson se fokusi është te modeli i përfaqësimit dhe jo te individët, duke diskutuar me aleatët për një qasje të përbashkët. Ai garanton se PD nuk do të bojkotojë garën dhe premton shpalljen e kandidatëve brenda pak ditësh.

“Ne nuk bojkotojmë. Edhe unë jam i bindur se akti më i thjeshtë është bojkoti”.

Pavarësisht se demokratët e kanë cilësuar dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet në Tiranë si antikushtetues, Sali Berisha konfirmon se gara e kryeqytetit nuk do të bojkotohet.

Emri i kandidatit ende nuk është gjetur, por për kreun e PD ka më shumë rëndësi profili i përfaqësuesit të opozitës.

“Partia Demokratike është marrë me modelin, jo me emrat. Me aleatët tanë ne kemi diskutuar për modelin që do ndjekim. Dmth; do të jetë ky një kandidaturë politike e PD apo nuk do të jetë? Do të jetë ky një kandidaturë politike e koalicionit apo nuk do të jetë? Do të jetë ky një kandidaturë e pavarur që do e mbështesin të gjitha partitë e koalicionit apo nuk do jetë?”

Pohoi se është i gatshëm që të mbështesë çdo model që i vjen edhe nga forcat aleate, por shton se edhe brenda radhëve të selisë blu kanë gati kandidatura.

“Jam i gatshëm të mbështes modelin që pranohet më gjerësisht nga opozita”.

Jo vetëm në Tiranë, por edhe në 5 bashkitë e tjera, demokratët ende nuk kanë prezantuar kandidatët, por Berisha premton se pritja do të përfundojë brenda pak ditëve.

“Kudo Partia Demokratike i ka kandidatët e gatshëm. I ka. Kjo është forca politike kryesore e vendit. Po merren strukturat, por merren me këtë dhe PD do të paraqesë kandidatët më të mirë”.

Gjatë komunikimit me median, Berisha komentoi edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili premtoi një paketë ligjore kundër ndërtimeve pa leje dhe ndërhyrjeve në territor. Sipas Berishës propozimet e kundërshtarit të tij janë për të tërhequr vëmendjen dhe për të ligjëruar paligjshmërinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos