Zgjedhjet mund të konsiderohen një kapitull i mbyllur në aspektin elektoral, por jo në atë financiar. Edhe pse kanë kaluar gati katër muaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon me shlyerjen e pagesave që rrjedhin nga ky proces elektoral.
Pranë institucionit janë protokolluar kërkesa për pagesa, që nga shpërblimet e komisionerëve deri te shlyerja e detyrimeve për ambientet private të marra me qira, të cilat kërkojnë disbursim fondesh nga arka e institucionit, shkruan A2 CNN.
Por nëse këto shuma mund të konsiderohen të papërfillshme, një tjetër detyrim vijon të mos shlyhet nga institucioni: ai për kompaninë postare që u kontraktua për të ofruar shërbimin e votimit të diasporës. KQZ është ende duke verifikuar protokollet e ndjekura nga operatori ndërkombëtar postar, nëse ato janë në përputhje me klauzolat kontraktuale, ndërsa nga vonesa e deritanishme dhe akuzat e ngritura për procesin, kuptohet se jo çdo gjë ka shkuar siç duhet.
Implementimi i votimit nga jashtë u aplikua për herë të parë në parlamentaret e 11 majit. Pavarësisht numrit të lartë të fletëve të mbërritura, ato ndikuan vetëm në një mandat – atë të 83-të të PS-së, pasi 82 i kishte fituar me votat brenda vendit. Megjithatë, procesi në vetvete u përdor si argument nga opozita për të kundërshtuar publikisht rezultatin e zgjedhjeve. Në fund të debatit politik, pyetja që mbetet është nëse KQZ do t’i paguajë apo jo mbi 9 milionë eurot, ndërkohë që procesi zgjedhor de facto ka përfunduar. (A2 Televizion)