“Të rrëzohet vendimi i KQZ”, PD-ASHM kundërshton certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit

Nga A2 CNN
1 Shtator 2025, 15:44 | Politikë

“Të rrëzohet vendimi i KQZ”, PD-ASHM kundërshton

Koalicioni PD-ASHM ka depozituar sot, më 1 shtator 2025, një kërkesë-padi pranë Kolegjit Zgjedhor, ku kundërshton rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, të shpallur nga Komisioni Rregullator i KQZ-së.

Në kërkesë-padinë, e cila mban firmën e përfaqësuesit ligjor Franci Nuri, PD-ASHM kërkon rrëzimin e vendimit të KQZ-së dhe mosnjohjen e rezultatit zgjedhor, me argumentin se procesi është shoqëruar nga shkelje të rënda ligjore dhe problematika që e bëjnë atë “jo të lirë dhe jo të ndershëm”.

Në dokumentin e paraqitur, opozita rendit një sërë shkeljesh që sipas saj, u evidentuan gjatë procesit:

-përdorimi i burimeve publike në fushatë,

-intimidimi i votuesve,

-patronazhistët,

-shpërdorimi i administratës publike,

-fenomeni i blerjes së votës dhe ndikimi i grupeve kriminale.

Në mënyrë të veçantë, PD-ASHM nënvizon se në qarkun Tiranë problematikat kanë qenë më të theksuara, për shkak të përqendrimit të popullsisë dhe administratës, por se fenomene të ngjashme janë konstatuar edhe në qarqe të tjera si Durrës, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Fier, Korçë e Dibër.

“Zgjedhjet e 11 majit nuk kanë përmbushur standardet kushtetuese dhe ligjore për të qenë të lira, të ndershme dhe të barabarta”, thuhet në konkluzionet e padisë.

PD-ASHM i kërkon Kolegjit Zgjedhor ndryshimin e vendimit nr. 34, datë 28.08.2025 të KQZ-së, duke e konsideruar të pavlefshëm shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 11 majit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos