“Ne nuk kemi çfarë të humbin, kemi ide të qartë të madhësisë e peshës sonë dhe sfidave tona. Si europianë duam të jemi të lirë dhe të shprehim lirisht atë çfarë mendojmë”. Këtë përgjigje i dha kryeministri Edi Rama moderatorit të forumit Stjepan Oresković, në Bled të Sllovenisë, kur u pyet që nuk i nënshtrohet Bashkimit Europian sikurse bëjnë homologët e tij nga Evropa Qëndrore dhe Lindore. Rama theksoi se Shqipëria është besnike e Bashkimit Europian dhe tha se vendi ynë nuk është lëkundur asnjëherë në raport me dëshirën për tu bërë pjesë e Unionit.
Moderatori Stjepan Oresković: Pyesja veten gjithmonë pse politikanë nga Europa Qëndroe e Lindore janë kaq të nënshtruar kur flasin më Brukselin dhe fuqitë e mëdha, ndërsa ju jeni shembulli i atij që nuk sillet si i nënshtruar dhe kam menduar se ky nuk do të futet asnjëherë në BE vetëm nga mënyra si flet me Brukselin. a Mund të komentoni për këtë”
Kryeministri Edi Rama: Kur vjen fjala për ne dhe për mua, që përfaqësoj vendin tim, është paska ndryshe sepse nëse kryeministri slloven, do të thoshte çfarë mendonte për Brukselin, atëherë nëse e thotë ka shumë për të humbur, ne nuk kemi. Kështu na duhet të jemi shumë të hapur dhe nga ana tjetër, përtej asaj se çfarë themi dhe shpreheni, besnikëria jonë nuk është kurrë në dyshim. Kemi ide të qartë të madhësisë e peshës sonë dhe sfidave tona. Si europianë duam të jemi të lirë dhe të shprehim lirisht atë çfarë mendojmë, por kur vjen puna që të ndjekim Europën, ne jemi ndjekës vërtetë besnikë, politika jonë e jashtme është 100% e harmonizuar me politikën e jashtme të BE-së prej shumë kohe. As nuk jemi lëkundur dhe as nuk e kemi vënë ndonjëherë në dyshim, sepse kur vjen fjala për besnikërinë jemi disi të verbër dhe kur themi që jemi me ty, jemi me ty deri në fund.
Kreu i qeverisë tha se Marta Kos e do vendin tonë në BE, ndërsa theksoi se uron që dakordësinë ta kenë edhe vendet aleate.
“Marta do që ta bëjë këtë, por të shpresojmë që të tjerët të bien dakord me Martën, sepse Europa është si një pacient me 27 mjekë, të gjithë patologë, që e bën më të ndërlikuar të trajtojnë problemet e çdo organi. Dua t’u them atyre që janë brenda BE të përpiqen të jenë më të lumtur se është një vend shumë i mirë për të gjithë që janë aty. Dhe problemet në Europë lidhen me faktin se bashkimi duhet të jetë më i fortë dhe shumë gjëra duhet të ndryshojnë dhe këta patologët duhet të specializohen pak, njëri duhet të jetë kardiolog e kështu me radhë. Në të kundërt do të kemi një rënie të pashmangshme”, u shpreh Rama.
Sipas tij Europa ndodhet në një udhëkryq, që duhet të zgjedhë nëse do forcohet më shumë duke u bërë Shtetet e Bashkuara të Europës, apo do të përçahet.
“Mendoj që problemi kryesor që ka Europa është çfarë drejtimi do të marrë. Do thellohet në rrugën e saj për t’u shndërruar në Shtetet e Bashkuara të Europës apo do shpërbëhet në copa të ndryshme me gjithsecilin që vendos se sateliti i kujt do bëhet sepse nuk ka shans që të ndahesh e të jesh vetëm”.
Kryeministri Edi Rama merr pjesë në edicionin e 20 të Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni, në diskutimin mbi rolin e shteteve dhe të ardhmen e Bashkimit Europian.
(A2 Televizion)