Një ndër kolegët deputetë që e ka marrë i pari në dorë librin e ri të Flutura Açkës, të firmosur, ka qenë Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i cili me një foto të publikuar në Facebook, ku pozon krah saj shprehet se “kritikat apo këshillat e një kolegeje nga opozita janë të mirëpritura edhe kur vijnë përmes një libri”.
Këtë foto të publikuar në rrjete sociale nga Balla, Açka e komentoi në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, ku edhe u pyet për autografin që i la, por edhe marrëdhënien që ka pasur me kolegun socialist.
Açka tha se vlerëson tej mase anën njerëzore të Ballës, i cili nuk i ka kursyer asnjëherë përshëndetjet në shkallët dhe korridoret e Kuvendit, gjatë 4 viteve të saj si ligjvënëse.
“Nuk e di se çfarë kam shkruar sepse kishte mjaft njerëz. Nuk e di për të tjerët, por flas për zotin Balla dhe disa kolegë të tjerë socialistë, kam parë një lloj kujdesi, një lloj respekti. Ndoshta kanë lexuar ndonjë vepër timen, por nuk e di. Po ka qenë edhe ana njerëzore që ndonjëherë të prek. Kundërshtar politik, ne kemi bërë debate dhe replika, por në korridor ka ndalur hapin dhe ka thënë: ‘Si jeni zonjë’. Ndaj ndonjëherë është e rëndësishme që të jesh njerëzor në këto gjëra. Këto janë gjërat që kam komunikuar me këtë palë”, tha Açka në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN. (A2 Televizion)