Fraksione i dosjes “Veliaj”, pretencat e SPAK, çfarë rrezikon Abule, Bektashi e Bushka

Nga Armand Bajrami
3 Qershor 2026, 17:54 | Politikë

Prokuroria e Posaçme, SPAK, lexoi pretencën ndaj 8 të pandehurve të dosjes penale të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, që po gjykohen në një proces të veçuar prej tij dhe me kohë të shkurtuar. Përmes një materiali voluminoz prej 537 faqesh në total, prokurorët Altin Dumani e Olsi Dado, i konsideruan të provuara akuzat e ngritura ndaj të pandehurve dhe kërkuan deklarimin e fajshëm të tyre. Masa më e madhe e dënimit të kërkuar i takoi biznesmenit të akuzuar për “pastrim të parave”, Elman Abule.

Për të u kërkua dënim me 7 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar u ul në 4 vjet e 8 muaj. E njëjta masë dënimi, u kërkua për të pandehurën Ina Goxhaj, e akuzuar për “korrupsion” e “pastrim të parave”. Goxhaj nuk rrezikon burgun, për shkak se SPAK kërkoi të konvertojë dënimin e saj në Shërbim Prove për 5 vite. Më fatlume ndër të pandehurit ishte Adela Kondakçi, ish-ekonomiste në disa prej shoqërive tregtare të bashkëshortes së kryebashkiakut.

Për shkak se ajo bashkëpunoi me SPAK, duke ndihmuar hetimin, ndonëse ndaj saj u kërkua dënimi me 4 vjet e 8 muaj burg për “pastrim të parave”, në përfundim prokurorët i kërkuan gjykatës të përjashtohej nga dënimi.

Qelinë nuk e rrezikon as biznesmeni i ndërtimit Fatmir Bektashi, i akuzuar për “korrupsion”. Ndaj tij SPAK pretendoi 8 muaj burg, i konvertuar me punë me interes publik. Për ish-deputeten socialiste Klotilda Bushka, e akuzuar për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, u kërkua një dënim përfundimtar me 400 mijë lekë gjobë.

Fajësi dhe dënime me Shërbim Prove e gjobë u kërkuan përkatësisht edhe për të pandehurat Frosina Bollo e Flutura Xhani. Ndërsa për ish-efektivin e Policisë së Burgjeve, që i dha telefonin kryebashkiakut Veliaj teksa shkonte në Gjykatën e Apelit për masën e sigurisë, u kërkua dënimi me 3 vjet e 4 muaj burg, i konvertuar në Shërbim Prove për 4 vite.

Të pandehur në çështje ishin edhe tre shoqëri tregtare, në statusin e personit juridik, ndaj të cilave u kërkuan nga 333 mijë në 12 mln lekë gjobë. Para leximit të pretencës, gjykata rrëzoi kërkesën e të pandehurit Elman Abule për shpallje të moskompetencës dhe kalim të dosjes në Gjykatën e Tiranës. Seanca e radhës, ku pritet të dëgjohen konkluzionet e mbrojtjes, u caktua më 15 qershor.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos