Në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar pas marrjes së vulës dhe logos së Partisë Demokratike, Sali Berisha kërkoi bashkim jo vetëm të demokratëve, por të gjithë opozitarëve.
Në fjalën e mbajtur nga banesa e tij, për shkak të arrestit shtëpiak, Berisha kërkoi prej të gjithëve që të dhjetëfishojnë përpjekjet për këtë qëllim: “Edhe 1% që ka mbetur është në detyrimin tonë të bëjmë çdo përpjekje që edhe ata të vijnë në shtëpinë e tyre dhe jo vetëm si numër, por të bëjmë të ndihen njëlloj si ne, të bëjmë zërin e tyre që të dëgjohen. Koha ka ardhur të njohim frontin më të gjerë opozitar që ka njohur Shqipëria për shpëtimin e vendit. Me shembullin që sollëm ne si PD, të bashkimit në diversitet”.
Bashkimi i demokratëve për Sali Berishën duhet të reflektohet që në protestën e 11 Korrikut, ku kërkoi pjesëmarrje masive. Por, sipas tij, bashkimi duhet bërë për qëllimin madhor të Partisë Demokratike, fitorja në zgjedhjet e 2025.
“Detyra jonë e dytë është përgatitja e kushteve për zgjedhje të lira, specifikisht qeveri teknike që të çojë vendin në zgjedhje të barabarta. Prandaj, harta drejt fitores është shtruar para nesh. Fjalën e pamundur duhet ta fshini, ta zhgarravisni nga fjalori i mundësive sepse e provuam tashmë që për PD nuk ekziston”, deklaroi Berisha.
Pavarësisht se Berisha flet me nota optimiste për zgjedhjet e vitit 2025, Rudina Hajdari një prej anëtareve të Këshillit Kombëtar, si në mbledhjen me dyer të mbyllura por edhe para mediave këkoi që të mendohet për një kandidat për kryeministër përtej liderit aktual të Partisë Demokratike.
Por kreu i Këshillit Kombëtar mendon ndryshe: “Për kryeministrin e ardhshëm të ketë votim”.
Këshilli Kombëtar miratoi rezolutën për bashkimin e demokratëve, ndërkohë gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura u është kërkuar të gjithë anëtarëve që të punojnë për protestën e 11 Korrikut për të pasur një pjesëmarrje masive. (A2 Televizion)