Organizata OMONIA në Himarë ka akuzuar sot Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe SPAK-un për fshehjen e vendimit të dhënë nga gjyqtarja Elsa Ulliri më 26 prill, për procesin ndaj Fredi Belerit. Sipas OMONIA-s në këtë vendim u evidentuan falsifikimet dhe manipulimet kundër kryebashkiakut të zgjedhur në Himarë, Fredi Beleri.
“OMONIA Himarë shpreh keqardhjen dhe shqetësimin e madh që segmente të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Posaçme të vëna në shërbim të Kryeministrit Rama dhe në rolin e shërbëtorëve kamikazë mbajtën fshehur vendimin e datës 26 prill dhënë nga gjyqtarja Elsa Ulliri në të cilin u evidentuan falsifikimet dhe manipulimin e kryera në funksion të procesit gjyqësor kundër kryebashkiakut të zgjedhur me votë në Himarë, Fredi Beleri”.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat OMONIA e cilëson fars hetimin ndaj Belerit dhe të montuar politikisht. Sipas saj në vendimin e 26 prillit provohet se prokurorë, gjyqtarë dhe policia e Vlorës kanë falsifikuar provat dhe gjithë akuzën në ngarkim të Belerit.
“Ky vendim që zhbën gjithë hetimin farsë dhe procesin e montuar në ngarkim të z. Beleri u vonua me qëllim që Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të dënonte padrejtësisht z. Beleri dhe të zhvaste mandatin e tij të fituar me votë të lirë. Vendimi i Gjyqtares Ulliri provoi katërcipërisht se Arsen Rama, i ashtuquajtur bashkëpunëtori i policisë ka dhënë dëshmi të rreme dhe ka manipuluar në bashkëpunim me Policinë e Shetit procesin hetimor në ngarkim të z.Beleri. Së dyti, ky vendim gjen të provuar se prokurorë, gjyqtarë dhe policia e Vlorës kane falsifikuar provat dhe gjithë akuzën ne ngarkim të z. Beleri duke u vënë në shërbim të Kryeministrit Rama që nxitoi të shfaqte për dite me radhë armiqësinë dhe tërbimin e tij kundër kandidatit të opozitës në zgjedhjet lokale në Himarë”.
OMONIA paralajmëron se procesi ndaj Belerit do të zbardhet shumë shpejt, ndërsa akuzon SPAK-un si zgjatim të partisë në pushtet.
“Siç ka paralajmëruar më herët në qëndrimet e veta OMONIA Himarë, ky proces i stisur keq e me nxitim, por i ekzekutuar me verbëri politike nga një segment i drejtësisë gjoja të re, por të kapur politikisht nga Kryeministri Rama do të zbardhet shumë shpejt. Ky proces politik që përfundoi me vjedhjen e mandatit të Opozitës në Himarë dhe dënimin padrejtësisht të Fredi Belerit do të jetë turpi dhe njolla e errët e SPAK –ut, por edhe prova se një segment i tij është veçse një zgjatim i partisë në pushtet. Ekzekutorët e këtij komploti që tjetërsuan dhe po tjetërsojnë vullnetin e qytetarëve të Himarës me metoda ekstraligjore, policeske, me të deleguar që fatin e Himarës e luajnë në ruleta kazinosh e me kamaleonë politikë që nuk dinë akoma pas 30 vjetësh me kë parti janë, do ta marrin përgjigjen shpejt! Nuk ka e nuk do të ketë asnjë hap pas deri në zbardhjen e plotë të këtij krimi politiko mafioz të konsumuar nëpërmjet Prokurorëve e Gjyqtarëve të kapur politikisht. “Drejtësisë së Re“ të Ramës iu çorr përfundimisht maska!! S’ka drejtësi pa votë të lirë! S’ka shtet ligjor me gjyqtarë shërbëtorë! Respekt maksimal për gjithë gjyqtarët e ndershëm e me integritet që i janë përkushtuar drejtësisë!”, thuhet në deklaratën e OMONIA-s. (A2 Televizion)