Dialogu ngec te koalicionet, PD e vendos kusht ndërsa PS refuzon, dilemë për emigrantët dhe herësin

Nga Fjorela Beleshi
28 Qershor 2024, 16:30 | Politikë

Koalicionet parazgjedhore kanë çuar në ngërç dialogun politik për reformën zgjedhore. Nga njëra anë demokratët e kanë kusht të panegociueshëm për të vijuar edhe me çështjet e tjera, nga ana tjetër socialistët vijojnë t’i mbeten stoik refuzimit për rikthimin e koalicioneve.

Rivendosja përballë njëri-tjetrit pas një muaji pushim nuk ka rezultuar i suksesshëm për Damian Gjiknurin dhe Oerd Bylykbashin për të arritur në një marrëveshje.

Në takimin me dyer të mbyllura demokrati Bylykbashi hodhi në tryezë edhe një propozim që nuk u pranua nga homologu socialist, me argumentin e këtij të fundit se Kuvendi nuk ka kohë mjaftueshëm në dispozicion për të marrë një mendim të organizatave ndërkombëtare.

I propozova që në Kod të ishin dy alternativat. Edhe këtë e refuzoi.

Vullneti i socialistëve për të mos hequr dorë nga pushteti dhe dëshira e demokratëve për rotacion politik mund të lërë emigrantët pa votuar. Mazhoranca është e hapur të diskutojë vetëm votën e emigrantëve dhe çështjen e herësit, në rast të kundërt draftin do ta propozojnë në mënyrë të njëanshme në Kuvend.

PS nuk do lista të hapura 100%, por për të bërë ndryshimin në kodin elektoral i duhen votat e partisë së Sali Berishës, në rast  të kundërt shpërndarja e mandateve do t’i lihet KQZ.

Skenari që në të gjithë territorin të votohej në mënyrë elektronike duket se ka rënë, pasi së fundmi vullneti monetar i mazhorancës qeverisëse është tkurrur maksimumi në 5 qarqe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos