Gara për Tiranën, Bamir Topi kundër Bajram Begajt: S’ do ta firmosja dekretin për zgjedhjet

Nga A2 CNN
2 Tetor 2025, 20:21 | Politikë

Gara për Tiranën, Bamir Topi kundër Bajram Begajt: S’ do ta

Ish-presidenti Bamir Topi është shprehur kundër dekretit të presidentit Bajram Begaj, i cili shpalli dekretin për datën e zgjedhjeve për Tiranën më 9 nëntor ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vazhdimësinë e procedurave pas ankimimit të Erion Veliajt. Në studion e Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, Topi tha se nuk do ta firmoste dekretin nëse do të ishte në detyrën e kreut të shtetit. Sipas tij presidenti Begaj duhet të kishte respektuar vendimin e Gjykatës kushtetuese.

“Jo Absolutisht jo. Nuk do e kisha hedhur firmën. E kam ndjekur situatën nga dje deri më sot dhe të gjithë politikanët, analistët, gazetarët, juristët dhe konstitucionalistët konvergojnë në një pikë; që nuk i dihet asnjëherë se çfarë vendimi do të marrë Gjykata Kushtetuese, por kur njofton pezullimin e vazhdimësisë së procedurave, çdo institucion tjetër duke filluar nga presidenti kryeministri e të gjithë institucionet e tjera duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Topi thekson se Begaj në cilësinë e përfaqësuesit të shtetit shqiptar duhet të respektojë dhe të jetë garant i kushtetutës dhe jo të bëhet njësh me shtetin.

“Kreu i shtetit kur merr detyrën duhet të jetë i pari që duhet të respektojë nen për nen, në frymë e gërmë kushtetutën e vendit. Kjo vlen për të gjithë se është pikë referimi i përfaqësimit të shtetit. Nëse Rama përfaqëson pushtetin, shteti përfaqësohet nga kreu i shtetit. Kur pushteti bëhet njësh me shtetin, atëherë më thoni ju kush është garanti. Është një rregull i pranuar e votuar nga të gjithë; për të gjitha konfliktet e marrëveshjet institucionale i takon gjykatës kushtetuese”.

Ish-presidenti sugjeron se kreu i shtetit mund të zgjerojë rrethin e këshilltarëve në momente të caktuara apo kur ka presion politik.

“Presidenti këshillohet me juristët e këshilltarët juridikë. Për rrethana të caktuara e ka mundësinë ta zgjerojë rrethin. Kur ka edhe presion politik presidenti e ka mundësinë”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos