Erion Veliaj ka paditur në Gjykatën Kushtetuese Presidentin Bajram Begaj, duke e akuzuar për shkelje të rëndë kushtetuese me dekretimin e datës së zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës. Sipas Veliajt, Presidenti ka uzurpuar kompetencat e Gjykatës Kushtetuese duke e trajtuar shkarkimin e tij si çështje administrative dhe jo kushtetuese, duke prodhuar një dekret juridikisht të pavlefshëm. Tani, vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të përcaktojë nëse zgjedhjet e pjesshme do të mbahen apo do të pezullohen.
Erion Veliaj i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese, këtë herë duke paditur Bajram Begajn. Dekretimi i datës nga ana e Presidentit të Republikës, në sytë e kryebashkiakut të shkarkuar, është një shkelje e rëndë kushtetuese, duke akuzuar Begajn për uzurpim të kompetencave të Gjykatës.
Shkelja bëhet akoma më e rëndë në momentin kur Presidenti, duke nxjerrë dekretin, ka marrë rolin e një autoriteti që përcakton kompetencën e gjykatave dhe raportet mes juridiksionit kushtetues dhe atij administrativ, duke vlerësuar në mënyrë të njëanshme se ankimi i Kryetarit të Bashkisë ndaj vendimit të shkarkimit nuk i përkiste Gjykatës Kushtetuese, por një gjykate tjetër, dhe për këtë arsye ai vijon me caktimin e datës së zgjedhjeve, shkruan A2.
Në padinë e dytë të depozituar, Erion Veliaj kërkon të shpallet antikushtetues dekreti presidencial, ku, sipas tij, Bajram Begaj ka krijuar një tymnajë legjislative duke e cilësuar shkarkimin e kryebashkiakut si një çështje administrative dhe jo kushtetuese.
Kryetari i Bashkisë nuk është thjesht një funksionar që mban një post administrativ; mandati i tij gëzon mbrojtje të posaçme kushtetuese përballë ndërhyrjeve të parakohshme të pushtetit qendror. Nëse vendimi i Këshillit të Ministrave shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, mund të ndodhë që Gjykata Kushtetuese ta shfuqizojë shkarkimin, ndërkohë që gjykata administrative të lërë në fuqi dekretin për zgjedhjet, duke çuar në një realitet absurd.
Padia e Veliajt vjen në një kohë kur KQZ ka nisur punën për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, përfshirë Tiranën, por që për Veliajn, firma e Begajt është nul dhe si rrjedhojë i gjithë procesi i nisur prej tij.
Duke shpallur vakancën mbi bazën e një akti të pezulluar, Presidenti e ka shndërruar dekretin e tij në një akt nullus effectus, juridikisht të pavlefshëm dhe pa pasoja. Ky veprim përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në garancitë kushtetuese të një të zgjedhuri me votë të lirë, duke cenuar njëkohësisht: (i) të drejtën themelore për të mos u shkarkuar arbitrarisht dhe për t’iu garantuar një shqyrtim i plotë nga Gjykata Kushtetuese përpara se shkarkimi të prodhojë pasoja të pakthyeshme.
Edhe me këtë padi të dytë, topi është në fushën e Gjykatës Kushtetuese e cila duhet të vendosë nëse dekreti i Begajt është kushtetues apo jo, çka automatikisht do të afektonte direkt edhe organizimin e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë. (A2 Televizion)