Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi propozon që partitë politike dhe kandidatët për kryetar bashkie të kryejnë vetëm 1 javë fushatë elektorale për zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki të vendit.
Në projektvendimet e hartuara prej Celibashit, të cilat i ka dërguar për miratim pranë Komisionit Rregullator, bëhet me dije se fushata do të nisë në datën 1 nëntor dhe të mbyllet mesnatën mes 7 dhe 8 nëntorit. Kohë për fushatë nuk do të kenë, por subjektet kanë mundësi që të mendohen edhe pak ditë për të zgjedhur kandidatët, shkruan A2.
“Dokumentet e kandidimit paraqiten në KQZ ose sipas rastit në KZAZ, jo më vonë se data 19.10.2025. KQZ-ja ose sipas rastit KZAZ-ja bën verifikimin e tyre, jo më vonë se 24 orë nga paraqitja, dhe në rast se vëren parregullsi, i kthen për plotësim. Dokumentet e plotësuara duhet të riparaqiten jo më vonë se 24 orë. KQZ-ja ose sipas rastit KZAZ-ja merr vendim jo më vonë se 24 orë nga riparaqitja e tyre”.
Partitë politike duhet të ndajnë mendjen deri në 11 Tetor për të garuar apo jo në zgjedhje, ndërkohë për t’u bashkuar në koalicioneve do të kenë afat deri në 16 Tetor.
“Partitë politike duhet të paraqesin kërkesën në KQZ, për regjistrim si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkitë Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, jo më vonë se data 11.10.2025. Koalicionet zgjedhore duhet të paraqesin në KQZ ose sipas rastit në KZAZ, kërkesën për regjistrimin si koalicion për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkitë Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, jo më vonë se data 16.10.2025”.
Çfarë komplikon situatën, është fakti se anëtarëve të Rregullatorit i mbaron mandati në 5 tetor, gjë që duket se shpjegon nxitimin e komisionerit Celibashit, që ka dërguar për miratim të gjitha aktet në grup. (A2 Televizion)