GJK u shpreh për Zaçajn, reagon Bardhi: Destabilizimi i Kushtetueses, përpjekje për ta kapur

Nga A2 CNN
28 Janar 2025, 15:27 | Politikë

Gjykata Kushtetuese mori vendim për të mbyllur debatin për kohëzgjatjen e mandateve të anëtarëve të saj.

Por ky vendim i Kushtetueses, nuk është pritur mirë nga demokratët, shkruan A2 CNN.

Kreu i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, përmes një reagimi publik, pohon se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese është thelbësore për garantimin e shtetit të së drejtës, por mazhoranca, sipas tij, po synon të mbajë të destabilizuar këtë institucion.

“Kjo lojë që vazhdon tashmë prej muajsh, ndërkohë që Kushtetuta dhe ligji organik janë krejt të qartë: Përveç dy gjyqtarëve (Holta Zaçaj - 2025 dhe Sandër Beci - 2028), Kushtetuta dhe ligji kanë parashikuar një mandat të plotë 9-vjeçar për të gjithë gjyqtarët e tjerë kushtetues”, tha Bardhi.

Sipas kreut të deputetëve të PD, çdo lexim i ndryshëm i Kushtetutës dhe ligjit, është duke cënuar rëndë pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqtarëve kushtetues.

“Kjo përbën një përpjekje të qartë për kapjen dhe vendosjen nën kontrollin politik të mazhorancës të gardianit suprem të Kushtetutës, Gjykatës Kushtetuese. Dhe kjo padyshim është një atentat për asgjesimin e vetë Kushtetutës!”, tha më tej Bardhi.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për përfudnimin e mandatit të Holta Zaçajt duket se ndikon edhe në përcaktimin e afateve për mandatet e dy anëtarëve të tjera, Sonila Bejtja dhe Elsa Toksa, të cilat po ashtu duhet të mbyllin punën në 2025. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos