Gjokutaj zbulon arsyen pse Berisha nuk shkon në GJKKO: S’ka vendim të zbardhur! Skandaloze

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2023, 21:02 | Politikë

Avokati mbrojtës, Genc Gjokutaj ka dhënë argumentet e tij se përse Sali Berisha nuk ka qenë i pranishëm ditën e sotme në GJKKO. I ftuar në emisionin “Debat” me Alba Alishani, Gjokutaj tha se nuk ka ende një vendim gjykate të zbardhur që e detyron Berishën të paraqitet në seancës. Ajo që ai quan skandaloze, është se ky vendim as nuk është firmosur dhe as nuk është depozituar në sekretari siç ligji e parashikon, por pretendon se ky dokument mbetet në sirtarin e gjyqtares Irena Gjoka.

Gjokutaj, vijon argumentin e tij duke thënë, se ajo që e bën edhe më anti-Kushtetuese këtë vendim, është fakti që vjen nga një gjyqtare që pala mbrojtëse ka kërkuar përjashtimin e saj me argumentin se ka shkelur detyrën. Mirëpo, përtej kësaj kërkese të bërë nga mbrojtja, Irena Gjoka vijon gjykimin e çështjes Berisha lidhur me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

“Gjykata akoma, për qëllime të saja nuk e ka zbardhur këtë vendim që detyron Berishën, ai nuk mund të shkelë Kushtetutën dhe ligjin, ky vendim që është marrë në mungesën tonë të mbrojtjes, nuk është zbardhur akoma, si mund të jetë detyrues, kur është akoma në kompjuterin e gjyqtares, nuk është firmosur, nuk është depozituar në sekretari. Nuk kemi vendim gjykate, ky vendim është anti-kushtetues, sepse është marrë nga një gjyqtare që është ngritur kërkesa për përjashtimin e saj, por ndërkohë vazhdon gjykimin, kjo gjykatë ka kryer shkelje flagrante prandaj vendimi i saj është i pavlefshëm. Ne do e apelojmë, por po presim vendimin final, që kjo gjyqtare nuk e zbardh”, tha Gjokutaj.

Ai refuzoi që të zbulojë bazat mbi të cilën po realizohet mbrojtja, por tha se prezenca e avokatëve në sallë ka një qëllim.

“Ne kemi ndërtuar një strategji mbrojtjeje që ka diskrecionin e saj, po e ndjekim me mjete ligjore dhe po inkurajojmë gjykatën që pas shkeljeve ta vendosim këtë provës në rrugën e ligjit”, përfundoi Gjokutaj në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos