“Gjysmat e plazheve janë bosh”, eksperti i ekonomisë: Të huajt të frikësuar nga protestat, çmimet në jug bëjnë kërdinë

Nga A2 CNN
20 Korrik 2026, 21:07 | Politikë

Eksperti i Ekonomisë Vjoldi Danaj ka ngritur shqetësimin në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN protesta dhe çmimet e larta në Jug kanë ndikuar në uljen e numrit të turistëve në vend. Sipas tij gjysma e plazheve në Vlorë janë bosh.

“Në fakt ngaqë më lidh edhe vendlindja ime me Vlorën edhe shpeshherë fundjavave shkoj poshtë. Fatkeqësisht të paktën deri fundjavën e kaluar i kam parë gjysmat e plazheve bosh. Shezllongat i kam parë bosh. Në kontakt me disa miq të cilët kanë hotele, nuk është vetëm protesta që ndikon. Sigurisht që një qytetar i huaj pavarësisht se protesta është më paqësorja se kjo ne nuk kemi parë në këto 30 vite në Shqipëri. Kurse për sa i përket një qytetari të huaj me gjithë bukurinë që mund të ketë kjo protestë sigurisht e ka një dyshim edhe një lloj frike të stepur. Jo frikë se po bëhet rrëmujë, por ama çdo i huaj që nuk e njeh historinë e vendit tonë, çdo i huaj që ka lexuar për Shqipërinë deri vitet e shkuara gjërat më të zeza, mafia, vrasje, kriminalitet, emigrim e të gjitha, sigurisht që stepen. Mendoj që nuk stepen as nga pelikanët as nga bulevardi. Ata stepen se nuk dihet se çfarë ecurie mund të ketë një protestë. Por thashë nuk është vetëm protesta që mund të ketë ndikuar në uljen e turistëve”, tha ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Megjithatë, ai nënvizoi se një faktor edhe më i rëndësishëm është rritja e çmimeve në jug të vendit, e cila, sipas tij, ka ndikuar ndjeshëm në uljen e interesit të turistëve.

“Sigurisht dhe çështja e çmimeve në jug ka bërë kërdinë në dëmtimin e turizmit dhe ky është përsëri një faktor tjetër i cili duhet diskutuar. Por protesta në vetvete unë mendoj se ka dy këndvështrime. Mjafton të ecim e t'i shikojmë plazhet. Gjysma e plazheve, gjysma e shezlloneve të paktën në Vlorë që Vlora gjithmonë është mbajtur një nga qytetet më elitare të turizmit këto vitet e fundit me gjithë problemet që ka dhe ai qytet, por ama këtë vit përsëri të paktën deri fundjavën e kaluar që plazhet janë bosh dhe nuk mund të themi çdo vit është e njëjta gjë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos