“Greqia ul çmimet, Rama kallp me besën” Berisha: Në Shqipëri ushqimet 5 herë më shtrenjtë se BE

Nga Indrit Maraku
31 Gusht 2026, 17:29 | Politikë

Kriza politike që Sali Berisha thotë se ka mbërthyer vendin, po shoqërohet në sytë e kryedemokratit, edhe me një krizë ekonomike. I referohet rritjes së çmimeve të ushqimeve që thotë se rezultojnë më shtrenjtë se mesatarja e Bashkimit Europian. Krahasimi direkt shkon me Greqinë.

“Qeveria e vendit fqinj, Greqia, ka vendosur të ulë me koston nga 5 përqind në 30 përqind të çmimeve të 1600 artikujve. Çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën këtë vit 5 herë më shumë se sa mesatarja e vendeve të BE. Dhe qeveria ka zero reagim”, tha Berisha.

Kryedemokrati propozon disa ndërhyrje të menjëhershme për t’u dhënë më shumë oksigjen financave të familjeve shqiptare.

“Heqja e menjëhershme e TVSH-së për ushqimet. Subvencionimi i plotë i të gjitha shpenzimeve për shkollën bazuar në parimin e arsimit falas. Me Kushtetutë, arsimi është falas. Vendosja e menjëhershme e minimumit jetik”.

Në vend të këtyre masave, përgjigjen e Qeverisë e sheh si të shkëputur nga realiteti.

“Përkundrejt këtyre masave, narkoqeveria ofroi njëherë Besën, dhe pasi i doli kallp Besa, tani Pasqyrën, një mashtrim të turpshëm të dytë duke dëshmuar se nuk jeton në këtë realitet”.

Për pushtetarët, thotë se kanë humbur çdo interes të përbashkët me qytetarët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos