Anëtari i Kryesisë së PD, Enno Bozdo deklaroi se nuk kishte asgjë të papritur nga seanca e sotme e Kuvendit, ku iu hoq imunitetit ish-kryeministrit Sali Berisha, e cila sipas tij vulosi antikushtetueshmërinë e kësaj çështje.
Bozdo renditi sipas tij shkeljet që ka bërë mazhoranca ndaj opozitës, teksa me ironi shtoi se dhe kryetarja e Kuvendit ishte e emocionuar kur lexoi rendin e ditës për kërkesën e SPAK që ishte miratuar më herët nga Këshilli i Mandateve.
“Asgjë e re. Ishte e parashikuar që ashtu siç ishin seancat e fundit... U lexua dhe me emocion dhe nga kryetarja e Kuvendit. Kuvendi, shumica socialiste ishte atje për të konfirmuar atë që vendosën Mandatet, pra sanksionuan pakushtetuetshmërinë. Ishte Rama atje, nuk kishte nevojë të ishte dhe Basha. Në javët e fundit kanë ndodhur këto gjëra në Parlament, për të kuptuar në çfarë niveli jemi. U zhbë ligji për komisionet parlamentare. U kalua një rregullore ku deputeti përjashtohet deri në 2 muaj për thyerje të etikës. Kjo është ajo që ka gatuar mazhoranca socialiste. Demokracia u godit në zemër dhe po jep shpirt. Çfarë po ndodh me opozitën dhe demokracinë në kuvend është situata më e vështirë që shteti ligjor ka ndeshur”, tha Bozdo. (A2 Televizion)