Vendimin e Kuvendit për të autorizuar arrestimin e Sali Berishës, aleati i tij politik Ilir Meta e konsideron si pjesë të një programi për eliminimin e opozitës.
Në një konferencë të posaçme për mediat, kryetari i Partisë së Lirisë pohoi se edhe ndryshimet e njëanshme në rregulloren e Kuvendit, bashkë me ato në ligjin për Komisionet Hetimore, janë pjesë e një regjie të komanduar nga Edi Rama, për të shuar zërin opozitar në vend.
“Dhënia e autorizimit për arrestimin e tij shënon një përshkallëzim të ri të përpjekjeve të qeverisë për asgjësimin e opozitës dhe të pluralizmit politik në vend. Është një vendim antikushtetues që kërkon të kthejë Shqipërinë në kohën e partisë shtet”. Veprimet e drejtësisë së re, në sytë e Ilir Metës, ndjekin porositë e kryeministrit.
“Porositë janë dhënë dhe jepen nga Kongreset e partisë. Përpjekjet për të krijuar një iluzion se po goditen të dyja palët, edhe kjo është një regji e Edi Ramës”, tha Meta.
I pyetur nëse i frikësohet fatit të aleatit të tij politik, Meta deklaroi se kjo gjë nuk e shqetëson. “Nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë shqetësim të tillë. Për sa i takon mitit të të paprekshmëve kjo është një përrallë. Është një zyrtar i lartë, por nuk është një kryeministër në detyrë, i vetmi që ka bërë ligje me porosi është Edi Rama”. Kreu i Partisë së Lirisë pohoi se do vijojë të mbështesë Berishën, por nuk qartësoi nëse do jetë pjesë e protestave të thirrura prej tij. (A2 Televizion)