Më 4 gusht, Himara do t’i drejtohet përsëri kutive të votimit. Me të marrë njoftim nga Kryeministria, mbi ndërprerjen e mandatit të Alfred Belerit nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Presidenti Bajram Begaj nuk ka humbur kohë dhe brenda pak orësh dekretoi mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore për Bashkinë e Himarës. Vendimin e mori pasi thirri në konsultë kreun e KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
“Pas kësaj konsulte, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht 2024 për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar bashkie në bashkinë Himarë, si alternativa më e mirë që pajton nevojën për përgatitjen dhe zhvillimin e një fushate të rregullt zgjedhore dhe nevojën për përgatitjen optimale të administratës zgjedhore, me kushtet, rrethanat dhe ngarkesën që sjell sezoni turistik për bashkinë Himarë, si njësi bregdetare e qeverisjes vendore”.
Nga heqja e mandatit të Belerit, deri te shpallja e datës së zgjedhjeve, gjithçka ndodhi brenda pak orësh, përmes komunikimeve të shpejta të tre institucioneve të përfshira. Fillimisht ishte Kryeministria që kërkoi nga KQZ njoftimin zyrtar të vendimit dhe organi i drejtuar Celibashi nuk ja vonoi përgjigjen. Kaq i mjaftoi Kryeministrisë që të njoftonte presidentin për mandatin e humbur të Alfred Belerit, duke kërkuar nga Begaj shpalljen e datës së zgjedhjeve. Këtë fakt e pohon edhe vetë Presidenca.
“Këshilli i Ministrave njoftoi zyrtarisht Presidentin e Republikës për vakancën e krijuar në bashkinë Himarë për shkak të konstatimit të pavlefshmërisë së mandatit të fituar nga z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri dhe kërkoi caktimin e datës së zgjedhjeve, brenda afateve që përcakton Kodi Zgjedhor”.
Në shpallje të vendimit të tij, Celibashi e bëri të qartë se Alfred Beleri gëzonte të drejtën e ankimimit pranë Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve të KQZ-së, brenda 30 ditëve, gjë që përfaqësuesit e tij konfirmuan se do ta bënin. Mosrespektimi i këtij i afati nga Presidenti, solli reagimin e kreut të grupit parlamentar të PD.
“Çfarë turpi për Presidentin e Republikës që shkel hapur Kushtetutën dhe ligjin duke dekretuar zgjedhje pa një vendim të ekzekutueshëm ende për pavlefshmëri të mandatit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës. Teatri i sotëm i koordinuar mes Edi Ramës dhe një gjenerali të bërë ushtar, është një atentat ndaj shtetit ligjor, që tregon asgjësimin politik të institucionit të Presidentit të Republikës. Vendimi i sotëm i KQZ nuk është ende i ekzekutueshëm pa kaluar afati i ankimit”, tha Bardhi.
Bardhi e mbyll reagimin me pohimin se presidenti Begaj gabon rëndë kur mendon se problemet e tij të integritetit në detyrat shtetërore pararendëse do i tejkalojë duke u sjellë si vartës i rëndomtë i Edi Ramës. (A2 Televizion)