
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja deklaron se këtë sezon veror është rritur ndjeshëm hapësira dhe numri i parcelave të plazheve publike në të gjithë vendin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja tha se numri i parcelave të stacioneve të plazhit publik është rritur me 67%, ndërsa sipërfaqja e tyre është zgjeruar me mbi 10%, duke reduktuar hapësirën e zënë nga stacionet private.
“Këtë sezon kemi rritur me 67% numrin e parcelave të stacioneve të plazhit publik dhe me mbi 10% sipërfaqen e tyre në të gjithë vendin, duke i marrë terren stacioneve private. Më shumë plazhe publike, më shumë akses, cilësi dhe çmime të përballueshme për banorët e zonave por edhe për turistët e shumtë që zgjedhin Shqipërinë. Për herë të parë, plazhet e menaxhuara nga bashkitë ofrojnë edhe çadër e shezlong me tarifa të miratuara nga këshillat bashkiakë, duke ndihmuar njëkohësisht në frenimin e abuzimeve me çmimet. Në Sarandë, sikurse në disa bashki, kemi sot nga modelet më të mira të këtij menaxhimi. Rezultatet janë të prekshme, por puna vazhdon”, shkruan ministri Gonxhja. (A2 Televizion)