Atentati ndaj Trump, politika shqiptare dënon sulmin kundër ish-Presidentit të SHBA

Nga Anesti Barjamemaj
14 Korrik 2024, 13:30 | Politikë

Sulmi ndaj ish-Presidentit të SHBA, Donald Trump, është dënuar nga politika shqiptare. Presidenti Bajram Begaj me anë të një postimi në mediat sociale shprehet se ngjarje të tilla nuk kanë vend në një shtet demokratik.

“I pikëlluar kur mësova për atentatin ndaj Presidentit Donald Trump. I uroj Presidentit Trump një shërim të shpejtë dhe i shpreh ngushëllimet e mia më të thella për humbjen e një jete të pafajshme. Ne e dënojmë fuqishëm këtë sulm dhe të gjitha format e dhunës politike, të cilat nuk kanë vend në demokraci”, shkruan Begaj.

Për kreun e qeverisë, Edi Ramën, atentati ndaj Trump është një tragjedi për botën demokratike: “Është shqetësuese të dëshmosh që një kandidat për President të Shteteve të Bashkuara të qëllohet duke folur në një tubim dhe të dëgjosh se një pjesëmarrës ka vdekur me disa të tjerë të plagosur. Kjo është një tragjedi për botën demokratike. Mendimet e mia janë me ish-Presidentin Trump dhe familjen e tij. Ne të gjithë shpresojmë se kjo ngjarje e tmerrshme do të bashkojë Amerikën dhe të gjithë njerëzit e botës demokratike kundër të gjitha formave të dhunës”.

Atentati ndaj ish-Presidentit të SHBA është dënuar dhe nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila shprehet se dhuna dhe demokracia janë të papajtueshme: “Tentativa për vrasjen e ish-Presidentit dhe kandidatit Donald Trump, e papranueshme! Dhuna dhe demokracia janë të papajtueshme në shoqëritë tona, në qytetërimin e sotëm!”

Kreu i opozitës, Sali Berisha, e cilëson atentatin kundër Donald Trump si një akt të shëmtuar: “Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të urryer kriminal ndaj Presidentit Donald Trump si një akt me të cilin kërkohet që me atentat, vrasje politike në fushatë elektorale të përcaktojnë e të mposhtin vullnetin e lirë të qytetarëve të SHBA. Me këtë rast i shpreh Presidentit Trump dhe familjes së tij dhe Partisë Republikane, solidaritetin tim më të plotë dhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe lutem për shërim të shpejtë dhe të plotë të tij”.

Ngjarjen e rëndë të ndodhur në SHBA e ka dënuar edhe Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos