Kryetari i Partisë Demokratike ka falënderuar të gjithë qytetarët që morën pjesë në protestën e 11 Korrikut. Me anë të një video-mesazhi nga banesa e tij, ku po vuan arrestin shtëpiak, ai e cilësoi protestën një cunam të vërtetë dhe të paparë ndonjëherë në kryeqytetin e vendit.
“Morët përsipër të ngriheni mbi të gjitha vështirësitë që pa diskutim krijonte moti ditën e djeshme dhe këto ditë. Dolët në sheshin e mejdanit për të protestuar ndaj një katastrofe ekzistenciale që rrezikon Shqipërinë, boshatisjes, zbrazjes së saj nga regjimi i Edi Ramës, më shumë se në çdo pushtim tjetër në histori. Dolët në protestën tuaj për votën e lirë dhe rrotacionin. Dje ishte dita e besës së madhe së shqiptarëve për të rikthyer në Shqipëri votën e lirë, rotacionin. Për të çliruar Shqipërinë nga ky pushtues i egër që po përzënë shqiptarët çdo ditë nga Shqipëria. Po i varfëron ata, po i vjedh ata në mënyrë të tmerrshme dhe po i poshtëron. Për të bërë të mundur rotacionin, rikthimin e opozitës në pushtet, rikthimin e demokracisë, rikthimin e shtetit ligjor, integrimit të Shqipërisë në BE”.
Berisha shprehet se mesazhi i protestës ishte madhështor dhe se me tubimin e së enjtes janë drodhën themelet e pushtetit të Ramës.
“Mesazhi i protestës ishte po aq madhështor, po aq gjigand sa dhe protesta. Dje o drodh nga themelet narko-kracia e Edi Ramës. Dje u drodh nga themelet nomeklatura e urryer e këtij aparati të Edi Ramës, instrument i pushtetit të tij personal. Dje edhe skeptikët, po qoftë edhe kritikët më të zellshëm të opozitës dhe lajkatarë të regjimit ,mbetën pa tekst para cunamit të paparë të qytetarëve shqiptarë në rrugë dhe sheshet e Tiranës. Ne hapëm siparin e një beteje të re, të vështirë, jetike e vendimtare për çlirimin dhe shpëtimin e Shqipërisë, rikthimin e votës së lirë, rotacionit dhe demokracisë në Shqipëri. Me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjedhje të lira, ai është një armik i egër i votës dhe i vetëqenies shqiptare. Ndaj dhe si një popull i civilizuar duhet të shkojmë drejt qeverisë teknike, rotacionit të pushtetit dhe votës së lirë”. (A2 Televizion)