Atentati në Rinas, Berisha: Dani truprojë e Gonxhes, vrasësit kontrollonin aeroportin

Nga Anesti Barjamemaj
13 Nëntor 2025, 15:14 | Politikë

Viktima e atentatit në Rinas, Gilmando Dani, sipas Sali Berishës ka qenë bashkëpunëtor i ministrit  Blendi Gonxhes.

“Gilmando Dani ka qenë bodyguard dhe financues i ministrit kriminel Blendi Gonxhe. Se në qoftë se ti bashkëpunon me kriminelët, ti kryen një krim, sikundër edhe Hoxha”.

Edhe personi tjetër i mbetur i plagosur, sipas Berishës, është i lidhur ngushtë me qeveritarët.

“Muç Shaljani apo Sheqeri ka qenë mbështetës dhe financues kryesor në fushatë elektorale i ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha. Muç Shaljani është angazhuar me të gjithë bandën dhe paratë e tij të krimit në blerje votash për ministrin Hoxha dhe në mbështetje të tij”.

Por kreu i opozitës akuzon edhe autoritetet shtetërore se janë të lidhura me vrasësit, pasi sipas tij ata që kryen krimin kanë pasur nën kontroll aeroportin e Rinasit.

“Ju e patë, ata tre vrasës mund t’i cilësosh fare mirë anëtare të forcave speciale për nga shkalla e përgatitjes së tyre, të Policisë së Shtetit, të ushtrisë. Natyrisht mund të jenë dhe vrasës me pagesë, por në emër të bandave më të fuqishme rivale, të cilave iu vu në dispozicion aeroporti për të kryer hakmarrjen e verbër. Çështja është që banda që ekzekutoi Gilmando Danin dhe plagosi rëndë Mustafa Sheqerin, kontrollonte aeroportin e Rinasit në çdo skaj në rrafshin e sigurisë së tij”.

Gjatë konferencës për mediat, Berisha u pyet edhe për fletëthirrjen e tij në SPAK, ku mohoi që të kishte një ftesë në adresë të tij, por theksoi se është i hapur për t’u pyetur nga prokurorët për çështjen e 21 Janarit.

“Asnjëherë mos më pyesni mua a do shkosh. Unë do të shkoj në çdo rast që do thirrem, për çdo problem nga organet e drejtësisë. E kam ligj, e kam aplikuar, zbatuar këtë gjithë jetën time. Nuk mund të ketë hezitim dhe mëdyshje”.

Sipas tij çështja e 21 Janarit është hetuar edhe më parë, por shton se është kreu i qeverisë bllokuesi i zbardhjes së kësaj çështje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos