Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka lexuar rezolutën, që sipas tij, është miratuar nga IDC-CDI (Internacionalja Demokrate e Qendrës) lidhur me zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri. Në konferencën me gazetarët Berisha deklaroi se kjo organizatë i cilëson zgjedhjet një farsë dhe shkelje të standardeve ndërkombëtare dhe kritereve të Kopenhagenit.
Sipas Berishës në rezolutën e miratuar më 30 maj 2025 në Abixhan, IDC-CDI thekson se zgjedhjet u shoqëruan me presion sistematik, frikësim dhe blerje të votës; keqpërdorim masiv të burimeve publike për qëllime elektorale, kontroll të qeverisë mbi median dhe censurë politike, përfshirë ndalimin e platformës TikTok, si edhe manipulim të procesit zgjedhor.
Në rezolutën e IDC-CDI kërkohet formimi urgjent i një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve të reja, zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR, ndërprerje e përndjekjes politike ndaj liderëve opozitarë, kushtëzim i integrimit të Shqipërisë në BE me reforma zgjedhore dhe demokratike.
Berisha thekson se kjo rezolutë i jep goditje fatale qeverisë shqiptare, Ramës dhe të gjithë atyre që sipas tij përpiqen t’u shesin shqiptarëve farsën për proces zgjedhor.
"Kjo rezolutë është një apel, një kushtrim për popullin opozitar për të luftuar dhe sakrifikuar, për të paguar çdo çmim për votën e lirë, duke i garantuar se në këtë betejë nuk janë vetëm, por janë së bashku me mbarë partitë e qendrës dhe qendrës së djathtë në Europë dhe në botë. Kjo rezolutë i jep goditje fatale narkoqeverisë shqiptare, Edi Ramës, altoparlantëve të tyre në media, të cilat si mercenarë të fjalës së lirë, përpiqen t’u shesin shqiptarëve farsën për proces zgjedhor.
Përpiqen të justifikojnë, përpiqen të mashtrojnë dhe të dezinformojnë shqiptarët me të njëjtin pasion patologjik që kanë bërë gjatë fushatës elektorale dhe para saj.
Kjo rezolutë denoncon me forcën më të madhe Skapin e partisë, këtë organ politik të narkodiktaturës, e cila me urdhër politik persekuton liderët e opozitës shqiptare dhe refuzon të hetojë krimet monstruoze elektorale, pra, ka vendosur pandëshkueshmërinë.
Kjo rezolutë denoncon policinë dhe të gjitha institucionet e këtij shteti, që në dhunim flagrant të Kushtetutës dhe ligjeve, u rreshtuan si institucionet e partisë shtet".
Rezolutë mbi Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri e lexuar nga Berisha:
“Shqipëria: Integriteti Zgjedhor dhe të Drejtat e Opozitës”.
Propozuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë – Shqipëri.
Unioni i Demokratëve të Qendrës dhe Internacionalja Demokrate e Qendrës (IDC-CDI),
Duke riafirmuar rëndësinë thelbësore që kanë zgjedhjet e lira dhe të ndershme për qeverisjen demokratike dhe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE,
Duke rikujtuar rezolutat e mëparshme të PPE-së, IDU-së dhe IDC-CDI-së që kanë paralajmëruar për prapakthimin demokratik dhe keqpërdorimin e institucioneve nga Partia Socialiste (PS) në pushtet,
Të alarmuar nga gjetjet e misioneve ndërkombëtare të vëzhgimit (OSBE/ODIHR, OSBE PA, APKE, Parlamenti Evropian) lidhur me zgjedhjet e 11 majit 2025,
Shprehin shqetësim të thellë se këto zgjedhje ishin një farsë politike, që nuk përmbushën standardet ndërkombëtare dhe shkelën kriteret e Kopenhagenit, duke përfshirë:
•Lirinë e votuesve për të zgjedhur (paragrafi 7.7 i Kopenhagenit):
Votuesit iu nënshtruan presionit sistematik, survejimit, frikësimit dhe blerjes masive të votës. Qeveria shpërndau bonuse prej 100 euro për 760.000 pensionistë pak para zgjedhjeve; fali gjoba dhe borxhe mbi 200 milionë euro nga periudha 2015–2025 vetëm dy ditë para votimeve. U shpenzuan rreth gjysmë miliard euro për tendera, prokurime dhe koncesione në kundërshtim me ligjin, të gjitha me qëllim sigurimin e mbështetjes elektorale. Vota e fshehtë nuk u respektua në shumë qendra votimi, dhe klima u karakterizua nga frikë dhe presion, duke u mohuar qytetarëve të drejtën për zgjedhje të lirë.
•Lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion (paragrafi 7.8 i Kopenhagenit):
Kontrolli i partisë në pushtet mbi median, censura editoriale dhe ndalimi me motiv politik i platformës TikTok dëmtuan rëndë mundësinë e votuesve për të pasur qasje në informacion të balancuar dhe të larmishëm.
•Ndarja e partisë nga shteti (paragrafi 5.4):
Partia Socialiste në pushtet i ka fshirë kufijtë midis shtetit dhe partisë, duke përdorur institucionet publike dhe burimet shtetërore për përfitim partiak, në kundërshtim me parimin që "shteti duhet të jetë i ndarë nga partia në pushtet".
•Keqpërdorimi i burimeve publike: Qindra mijëra punonjës të administratës publike u vunë nën presion për të bërë fushatë përmes një “rrjeti patronazhist” të shtrirë në të gjithë vendin, duke minuar konkurrencën demokratike.
•Liria e votuesve për të zgjedhur (paragrafi 7.7): Votuesit u përballën me presion, survejim, frikësim, kërcënime, blerje vote dhe mungesë të sekretit të votës;
•Liria e shprehjes (paragrafi 7.8): Kontrolli i qeverisë mbi median, censura dhe ndalimi i TikTok-ut kufizuan qasjen në informacion të paanshëm.
•Pandëshkueshmëria institucionale: Rreth 200 kallëzime formale për krime zgjedhore pranë Prokurorisë së Posaçme dhe qindra denoncime në KQZ mbetën pa ndonjë reagim apo ndjekje penale.
IDC-CDI dënon manipulimin e procesit zgjedhor përmes:
•Kapjes së shtetit dhe bashkëpunimit kriminal në frikësimin e votuesve dhe manipulimin e rezultateve;
•Përndjekjes gjyqësore ndaj liderëve të opozitës, përfshirë Sali Berishën, Ilir Metën, Fatmir Mediun, Ervin Salianjin dhe Fredi Belerin;
•Pandëshkueshmërinë institucionale, me mbi 30 kallëzime formale për krime zgjedhore pranë Prokurorisë së Posaçme dhe qindra denoncime në KQZ, pa ndonjë ndjekje ligjore.
IDC-CDI u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të:
Zbatojnë urgjentisht rekomandimet prioritare të OSBE/ODIHR, përfshirë ato mbi barazinë në fushatë, mediat dhe institucionet e paanshme;
Ndërpresin përndjekjen politike dhe të rikthejnë të drejtat e plota për liderët e opozitës;
Të krijojnë një qeveri teknike (kujdestare) për të mbikëqyrur reformat drejt BE-së dhe për të përgatitur zgjedhje të reja;
Sigurojnë pluralizëm real mediatik dhe akses të barabartë në media për të gjitha forcat politike.
IDC-CDI:
•Shpreh solidaritet të fuqishëm me Partinë Demokratike të Shqipërisë (PD-ASHM) dhe të gjithë aktorët civilë që mbrojnë demokracinë;
•U bën thirrje anëtarëve të CDI-së të dërgojnë një mision për verifikim faktesh dhe vëzhgimi në Shqipëri për të vlerësuar ecurinë e zgjedhjeve, për t’u takuar me aktorët përkatës dhe për të dhënë një vlerësim të pavarur mbi përputhjen me normat demokratike;
•I bën thirrje BE-së që të kushtëzojë përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit me reforma konkrete zgjedhore dhe demokratike;
•Paralajmëron se konsolidimi autoritar dhe ndikimi kriminal në Shqipëri përbëjnë rrezik serioz për demokracinë e brendshme dhe për stabilitetin rajonal.
Asambleja e Përgjithshme, Abixhan, 30.05. 2025.
(A2 Televizion)