Inceneratori i Tiranës, Berisha: SPAK amnistoi Veliajn dhe Ramën, po bën padrejtësi

Nga Anesti Barjamemaj
11 Dhjetor 2023, 16:09 | Politikë

Inceneratori i Tiranës, Berisha: SPAK amnistoi Veliajn dhe Ramën, po

Arrestimet e Prokurorisë së Posaçme për inceneratorin e Tiranës, Sali Berisha, i konsideron një krim monstruoz të drejtësisë. Kreu i Rithemelimit pohoi se dosja e fundit e SPAK është mburojë për Edi Ramën dhe Erion Veliajn, që sipas tij janë të përfshirë në atë që e quan aferën e shekullit.

“Aq sa mund të ndash blozën e zezë nga tymi, mund të ndash Erion Veliajn dhe Edi Ramën nga vjedhja e shekullit. Dosja e amnistisë e Erion Veliajt nga treshja famëzezë Kraja-Prençi-Gjoka është një krim monstruoz në historinë e drejtësisë shqiptare”, u shpreh Berisha.

Në këtë konferencë për shtyp, shoqërohej nga anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Rithemelimit, Belind Këlliçi, i cili deklaroi se ekzistojnë një sërë dokumentesh që e faktojnë përfshirjen e kryebashkiakut të Tiranës në këtë çështje, por shton se SPAK nuk i ka konsideruar si prova. 

“Dosja hetimore e përgatitur për Arben Ahmetaj, ka informacione më të detajuara që rëndojnë akuzën penale ndaj Erion Veliajt, por mungojnë në dosjen e inceneratorit të Tiranës”.

I pyetur për deklarimet e të dërguarit me punë të SHBA në Tiranës David Wisner, i cili theksoi edhe njëherë qëndrimin e DASH se nuk komunikojnë me asnjë të shpallur non grata, Berisha iu përgjigj me të njëjtën monedhë.

“Nuk kam ndërmend të komentoj deklaratat e të ngarkuarit me punë të SHBA, i cili shprehet se nuk komentoj deklaratat e një personi non-grata. Që këtu, mua nuk më takon të komentoj më tutje këtë problem. Po ajo siç e kuptova unë atë intervistë, hiq pjesën time, ajo ishte një përgjigje kundër rrezikut anglo-amerikan të Edi Ramës të shpallur në kongresin e partisë”.

Ish-Kryeministri duket se iu referua deklaratës së Ramës në Kongres, kur pohoi se pa PS nuk ka angloamerikan dhe europerëndimor që mund ta bënte reformën në drejtësi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos