Inceneratori i Tiranës, Këlliçi: Pse SPAK amniston Elton Buallin, ushtarin e dyshes Mërtiri-Zoto?

Nga A2 CNN
19 Korrik 2024, 15:12 | Politikë

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i kërkoi llogari SPAK për mos arrestimin e Elton Buallit, sipas tij, një person kyç në inceneratorin e Tiranës.

Këlliçi tha se Bualli është personi në hije pas Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, ndërsa hodhi përsëri dyshime se emri i radhës që fshihet pas tyre është ai i kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Prokuroria e Posaçme bëri publike masat e reja të arrestit për punonjësit e inceneratorit fantazmë të Tiranës, duke i quajtur ata një Grup të Strukturuar Kriminal. Çuditërisht mes këtyre 8 shtetasve, mungonte një ndër emrat kryesorë të kësaj bande, zbatuesi i të gjithë punëve të pista brenda dhe jashtë vendit të dyshes Mërtiri – Zoto, shtetasi Elton Bualli. Ky individ, herë shfaqet si drejtor i inceneratorit të Elbasanit, herë shfaqet si drejtori i inceneratorit Tiranë, herë shfaqet në komunikimet e tij me zyrtarët në Zimbabve, herë shfaqet në komunikimet në Holandë. Dua t’i drejtoj dy pyetje kreut të organizatës partnere të PS, Altin Dumanit. 1. Përse është amnistuar shtetasi Elton Bualli? 2. E kujt është sera dhe toka që SPAK ka frikë të sekuestrojë? Për çdo qytetar shqiptar, sot është fare e qartë skema e vjedhjes së qindra milionë eurove me inceneratorin e Tiranës nga Grupi i Strukturuar Kriminal në Bashkinë Tiranë, drejtuar nga Erion Veliaj, por është edhe më e qartë amnistia që SPAK po i bën kreut të këtij Grupi të Strukturuar Kriminal”, tha Këlliçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos