Eduard Shalsi tregoi bisedat që ka bërë këto ditë me protestuesit, të cilët për të dymbëdhjetën ditë radhazi dalin në shesh duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Tre vajza në një kafe i pyeta për çfarë keni dalë. Njëra kishte pasur një problem të madh dhe e kam denoncuar rastin dhe shpresoj të bëj një ndërhyrje drejtori i Tatimeve. Kishte problem me një inspektore që na turpëron të gjithëve. Ajo tha, më ka ardhur disa herë, jo vetëm që është sjellë në mënyrë arrogante, por më ka kërkuar edhe gjëra. E kam denoncuar si rast”, tha Shalsi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Një tjetër tha, kam babanë jashtëzakonisht sëmurë, nuk po e marrim dot çertifikatën e pronësisë. Na është shfaqur një person që thotë ua nxjerr unë. Por, si e nxjerr ti? Ka ardhur një në emër të një biznesmeni, më tha. E treta kishte një rast me një spital të Tiranës. E katërta kishte konkurruar dy herë dhe në rastin e dytë më thotë kam arsye të besoj që u skualifikova padrejtësisht për shkak se në atë vend pune morën një të afërm të njërit. Pra, ato njerëz që unë takova, njëri kishte dalë kushëriri im për Zvërnecin. Ndërsa të tjerët kishin nga një problematikë konkrete të cilëve s'mund t'ua kundërshtoja për sa kohë ma thanë. Pra, aty pashë dhe vura re që përtej Zvërnecit njerëzit kanë dalë për hallet e veta”, shtoi Shalsi. (A2 Televizion)