Aktivistja Dorina Lamaj u shpreh se protesta duhet të ishte konkretizuar tashmë me një lëvizje politike.
“Kemi pasur premtime përgjatë këtyre 35 vitëve. Për çfarëdolloj premtimi që është bërë, asgjë nuk është mbajtur. Gjykoj që janë pak vonë ata të cilët kanë organizuar këtë protestë, ata të cilët kanë aspirata politike, ata të cilët e mendojnë këtë lëvizje. Unë mendoj që janë pak vonë, duhet ta kishin konkretizuar tashmë lëvizjen e tyre”, theksoi Lamaj në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Kur u pyet nëse ka një propozim, aktivistja u përgjigj: “Propozimi im është shumë i thjeshtë. Të gjithë intelektualët, të cilët janë të papërlyer gjatë këtyre viteve, që nuk i kanë ato rrënjët nëpër politika të vjetra, nëpër parti të vjetra, patjetër që po. A ka shembull më të mirë se ata qytetarë të ndershëm të cilët kanë punuar për këtë vend me ndershmërinë e tyre, me përgjegjësinë e tyre? Jam për një parti të re. Unë mendoj se shqiptarët i kanë dhënë mundësi çdo partie politike për të treguar veten dhe për të treguar përgjegjësinë, sepse është parë në gjithë këto vite që e kanë marrë si privilegj pozicionin dhe postin e tyre dhe jo si detyrë. Ata janë në krye të detyrës aty. Janë për qytetarët dhe janë për Shqipërinë. Nuk janë për vete, ashtu siç kanë treguar gjatë këtyre viteve”. (A2 Televizion)